Autoriteti Rrugor Shqiptar shpalli fituesit e tenderit për ndërhyrjen emergjente në urën e Milotit, ku punimet do të zgjasin dy muaj pas nënshkrimit të kontratës.
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar se kontrata për ndërhyrjen emergjente në urën e Milotit i është dhënë bashkimit të kompanive “JUNIK” SHPK dhe “JOOS & KRASNIQI – BAZE”. Oferta fituese është rreth 860 mijë euro, që përfaqëson 80.5% të fondit limit të përcaktuar për këtë projekt.
Procedura e tenderimit nisi në fund të muajit gusht dhe pas përfundimit të saj, kompanitë do të kenë afat dy muaj nga nënshkrimi i kontratës për të përmbyllur ndërhyrjet. Sipas ARRSH-së, nevoja për këtë projekt u përcaktua pas një investigimi në terren, ku konsulentët evidentuan gjendjen e rënduar të urës dhe domosdoshmërinë e ndërhyrjes së menjëhershme.
Dokumentet e tenderit theksojnë se ura ndodhet në mesin e jetëgjatësisë së parashikuar për vepra të këtij lloji, ndërsa themelet e saj janë tej mase të dëmtuara. ARRSH paralajmëron se situata është e rrezikshme, pasi gërryerja e shtratit të lumit ka ekspozuar pjesërisht themelet.
“Si masë emergjente, duhet të kryhen menjëherë punimet për të siguruar një jetëgjatësi të urës prej 5 deri në 10 vjet, me kufizimet aktuale të ngarkesës,” – thuhet në dokumentet zyrtare. Hetimet në terren zbuluan se gërryerja mesatare dhe lokale arrin nga 3 deri në 5 metra, fenomen i ndikuar kryesisht nga marrja e pakontrolluar e zhavorrit në lumin Mat.
Ndër punimet e planifikuara përfshihen pastrimi i zonës përreth pilotave, betonimi i tyre në lartësi 1.5 deri 2.5 metra, si dhe përforcimi i themeleve me blloqe gabioni për të parandaluar dëmtimet nga gërryerja. Në total, ndërhyrja pritet të përfshijë 32 pila të urës.
Ura e Milotit, e ndërtuar më 24 prill 1979 nga Instituti i Projektimeve Nr. 2, është pjesë e aksit kombëtar Milot–Lezhë mbi lumin Mat dhe shërben si nyje kyçe në qarkullimin automobilistik dhe hekurudhor. Përgjatë dekadave, ajo ka pasur rëndësi të veçantë strategjike për transportin kombëtar.
Kjo ndërhyrje e shpallur si emergjente shihet si vendimtare për sigurinë e qarkullimit dhe mbrojtjen e infrastrukturës, ndërsa pritet që pas dy muajsh puna të garantojë jetëgjatësi më të madhe për këtë urë të rëndësishme të vendit.