Në një hotel në bregdetin e Durrësit, Dexter Mendoza, një 30-vjeçar nga Filipinet, punon prej disa muajsh si ndihmës kuzhinier. Ai është një nga dhjetëra shtetasit e huaj që kanë gjetur punë në sektorin e turizmit dhe shërbimeve në qytetin bregdetar.
Sipas menaxherit të hotelit, Adi Bakiri, punonjësit e huaj vijnë përmes agjencive të punësimit, me kontrata njëvjeçare, ndërsa ushqimi dhe akomodimi u sigurohen nga punëdhënësit. Përveç filipinasve, në hotel kanë punuar edhe shtetas nga Kameruni dhe Angola.
Filipinasit janë të pranishëm edhe në restorante e bare, ndërsa disa prej tyre kanë marrë banesa me qira pranë vendit të punës. Në një tjetër rast, një familje shqiptare ka punësuar një vajzë nga Filipinet për kujdes shtëpiak dhe asistencë ndaj një të moshuari.
Punëtorë nga Bangladeshi janë angazhuar kryesisht në sektorin industrial, përfshirë një fabrikë të prodhimit të dyerve të blinduara. Në port, punonjës vendas raportojnë praninë e mbi 150 peshkatarëve egjiptianë, si dhe shtetasve turq të punësuar në sektorin e peshkimit.
Rritja e numrit të të huajve ka ndikuar edhe në ekonominë lokale. Në fund të vitit 2025, Shqipëria numëronte 27,514 shtetas të huaj me leje qëndrimi, 22% më shumë se një vit më parë, ku 65% e tyre ndodheshin në vend për arsye pune.
Ndërkohë, komuniteti i pensionistëve italianë mbetet ndër më të konsoliduarit në Durrës. Ata janë të përqendruar kryesisht në zonën bregdetare dhe kanë zgjedhur Shqipërinë për koston e jetesës, klimën dhe mungesën e taksimit mbi pensionet.
Megjithatë, diskutimet për një taksë 15% mbi pensionet kanë shkaktuar shqetësim. Disa italianë po shqyrtojnë mundësinë e largimit drejt vendeve të tjera si Sllovakia apo Tunizia. Sipas deklaratave të fundit, qeveria shqiptare ka bërë të ditur se nuk do të vendosë taksë mbi pensionistët italianë, por komuniteti kërkon qartësi zyrtare për të shmangur pasigurinë.