Publikohet fotoja e Nevzat Spahos, i dyshuar për ekzekutimin e biznesmenit Mondi Mehalla në Elbasan

Personi që shfaqet në foto është 29-vjeçari Nevzat Spaho, një nga tre autorët e dyshuar të vrasjes së biznesmenit Mondi Mehalla (Edmond Hyka), ngjarje e ndodhur më 30 nëntor në Elbasan. Spaho u arrestua sot, më 3 dhjetor 2025, dhe sipas të dhënave rezulton person me precedent penal, i dënuar më parë për tentativë vrasjeje.

Policia bëri të ditur se, bazuar në hetimet paraprake, Spaho dyshohet të ketë qenë i përfshirë në ekzekutimin e Mehallasë, i cili u qëllua me dy plumba në kokë brenda automjetit të tij, në ambientet e jashtme të një karburanti në lagjen “Emin Matraxhiu”. Gjatë ndalimit, policia sekuestroi një automjet, një telefon celular dhe sende të tjera të nevojshme për hetimet.

Numri i të arrestuarve lidhur me këtë vrasje ka shkuar në tre, ndërsa dy persona të tjerë vijojnë të jenë në kërkim.

Arrestimet e mëparshme
Më 2 dhjetor u vunë në pranga:

  • Xhino Ago, 32 vjeç, ish-ortaku i Mondi Mehallasë, i dyshuar për “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve”.
  • Kujtim Pisha, 52 vjeç, roja i karburantit, i akuzuar për “Moskallëzim krimi”.

Në kërkim janë shpallur Marselo Arani, 32 vjeç, dhe Armando Kola, 35 vjeç, të dyshuar si ekzekutorë të ngjarjes. Automjeti i përdorur nga autorët rezulton në pronësi të Xhino Agos, i cili ia kishte dhënë me hua Aranit.

Policia ka sekuestruar gjithashtu automjetin tip Audi të përdorur nga autorët, si dhe armën e krimit të gjetur në automjetin e djegur. Janë sekuestruar dokumente të shitblerjes së automjetit, tre celularë dhe dy pajisje DVR. Hetuesit kanë dokumentuar mekanizmin e vrasjes edhe përmes pamjeve filmike.

Sipas të dhënave të para, konflikti mes viktimës dhe ish-ortakut të tij dyshohet të ketë lindur për ndarjen e fitimeve në biznes.

Policia njoftoi se operacioni i koduar “Strike” vijon me objektiv identifikimin dhe arrestimin e të gjithë personave të përfshirë në ngjarje. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme.

Ndaj Postimin: