Publikohen në Fletoren Zyrtare 7 ligjet e Paketës Fiskale dhe hyjnë në fuqi pas 15 ditësh

Shtatë ligjet e Paketës Fiskale janë publikuar në Fletoren Zyrtare dhe do të hyjnë në fuqi pas 15 ditësh nga data e botimit, pas dekretimit nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.

Sipas ligjeve të miratuara, administrata tatimore dhe ajo doganore janë të detyruara që brenda këtij viti të fshijnë nga bilancet të gjitha detyrimet e bizneseve të krijuara përpara datës 31 dhjetor 2014. Nga kjo nismë përfitojnë mbi 200 mijë biznese debitore, ndërsa vlera totale e detyrimeve që preken arrin rreth 2.1 miliardë euro.

Rreth 1 miliard euro detyrime të krijuara nga vitet ’90 deri në fund të vitit 2014 do të fshihen deri më 31 dhjetor 2026, përfshirë gjobat dhe kamatëvonesat për detyrimet e sigurimeve shoqërore deri në vitin 2014.

Për borxhet tatimore dhe doganore të krijuara në periudhën 2015–2024 parashikohen lehtësime të kushtëzuara. Nëse 50 për qind e detyrimit të krijuar nga janari 2015 deri më 31 dhjetor 2020 paguhet menjëherë deri në qershor 2026, pjesa tjetër do të falet së bashku me gjobat dhe kamatat. Në rast pagese me këste deri në fund të dhjetorit 2026, do të falet 25 për qind e detyrimit.

Ligji parashikon gjithashtu transparencë për përfituesit. Deri më 31 janar 2027, administrata tatimore dhe doganore do të publikojnë listën e 3000 tatimpaguesve që kanë përfituar nga falja e detyrimeve mbi 5 milionë lekë.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033