Pse përmendën prokurorët 35 vite burg? Lala tregon prapaskenat e mbledhjes me dyer të mbyllura për imunitetin e Ballukut

Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, ka folur për seancën me dyer të mbyllura për imunitetin e Belinda Ballukut.

Lala tha se prokurorët pretendojnë se Balluku mund të prishë provat, ndaj kërkojnë heqjen e imunitetit të saj për të caktuar një tjetër masë sigurie.

Lidhur me pretendimet se Balluku ka kërcënuar dëshmitarët përmes personave të krimit të organizuar, Lala tha se nuk ka një akuzë të re penale për intimidim, por vetëm pretendime të një vartëseje.

“Mbledhja e Këshillit për Mandatet dhe Imunitetin u zhvillua me dyer të mbyllura, pasi kjo u kërkua nga SPAK. Prokurorët pretenduan se çështja është nën hetim dhe ekziston rreziku të dëmtohen provat dhe procesi hetimor, ndaj kërkuan mbledhje me dyer të mbyllura.

Është përdorur termi ‘35 vjet burg’. Zoti Braho, duke paraqitur argumentet, ka deklaruar se në momentet e para, kur është kërkuar dhe miratuar pezullimi nga ushtrimi i funksioneve për Ballukun, veprat penale kishin marzh dënimi deri në 10 vite. Por më pas prokurorët pretendojnë se kanë prova të reja që kanë rënduar pozitat e Ballukut, në 9 episode, përfshirë tunelin e Llogarasë, 7 lotet e Unazës dhe koncesionin Thumanë–Kashar. Prokurorët kanë thënë hipotetikisht se dënimi mund të shkojë deri në 35 vite. Pozita e zonjës Balluku është rënduar ndjeshëm. Ky ka qenë konteksti në të cilin prokurorët kanë përdorur frazën ‘35 vite burg’.

Prokurorët, për të mbështetur kërkesën e tyre, kanë paraqitur argumentin se Balluku mund të ndërhyjë për të prishur provat. Së dyti, ekziston rreziku i intimidimit të dëshmitarëve. Në këtë kontekst, prokurorët kanë paraqitur përgjime, ku vartës të zonjës Balluku kanë folur mes njëri-tjetrit, duke ngritur dyshime se zonja Balluku mund të përdorë persona me rekorde penale për të frikësuar dëshmitarët. Por nuk ka një akuzë të re penale për intimidim të dëshmitarëve.

Prokurorët pretendojnë se kanë siguruar prova që, sipas tyre, çojnë në dyshimin e arsyeshëm se Balluku po intimidon dëshmitarët.

Nuk ka një eksponent të krimit të organizuar të jetë përgjuar, por vartës që kanë pretenduar se janë shantazhuar nga persona me rekorde penale. Kur prokurorët ngrenë këtë pretendim, është një kusht shumë i fortë për të bindur Kuvendin për të dhënë autorizim.

Fillimisht kishte dyshime për një akuzë, tashmë ka disa lote dhe disa dyshime. Ka edhe dëshmi të njërës prej vartëseve të Ballukut, e cila pretendon se tenderët i ka kryer nën urdhrat e Berberit. Ajo është e pandehur dhe pretendon se është kërcënuar për të tërhequr dëshminë ndaj Ballukut”, deklaroi Lala.

Lidhur me pyetjen e gazetarit Sokol Balla në SPAK, Lala tha se ka qenë procedurë normale, pasi po hetohet pasuria e Ballukut dhe ajo ka qenë e martuar me zotin Balla.

“Sepse kanë qenë të martuar. Po bëhet hetim pasuror për Ballukun dhe janë thirrur personat e lidhur. Është një gjë proceduriale normale. Ka qëndruar rreth dy orë në SPAK dhe nuk bëri koment në dalje. Është procedurë”, tha Lala.

E pyetur nëse SPAK vijon t’i qëndrojë idesë për të kërkuar arrestimin e Ballukut, Lala tha se nuk ka gjasa që të kërkohet arrest me burg, edhe nëse Parlamenti ia heq imunitetin.

“SPAK kërkon leje ose autorizim për arrestim, por në rastin e zonjave përgjithësisht ka kërkuar masa më të lehta. Është shkuar vetëm në arrest shtëpie, përjashto rastet kur ka krim të organizuar, vrasje e me radhë. Nëse do të jepet autorizimi, do të shkohet me kërkesën për arrest shtëpie, por gjasat janë që kjo të mos ndodhë dhe SPAK i ka duart e lidhura”, tha Lala.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033