Pse nuk u zëvendësua Belinda Balluku dhe pse kompetencat nuk mund t’i kalonin zv.ministrit? Shpjegimi në Kushtetuese

Këshilli i Ministrave ka argumentuar në Gjykatën Kushtetuese se pezullimi i Belinda Balluku ka ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin e qeverisë dhe në vendimmarrjen në sektorët kyç të Infrastrukturës dhe Energjisë, duke e bërë qeverinë palë të legjitimuar në këtë proces gjyqësor.

Gjatë seancës, përfaqësuesit e Kryeministrisë sqaruan se ligji dhe Kushtetuta nuk parashikojnë zëvendësimin automatik të një ministri të pezulluar nga zv.ministri dhe as delegimin e përkohshëm të kompetencave të ministrit te një organ tjetër brenda Këshillit të Ministrave, pa ndryshuar përbërjen e vetë qeverisë.

Drejtori juridik i Kryeministrisë, Erald Jonuzaj, theksoi se vetëm ministri i linjës ka të drejtë të propozojë projektakte ligjore dhe nënligjore. Kjo kompetencë, sipas tij, nuk i njihet as zv.ministrit dhe as Kryeministrit, pasi është e përcaktuar shprehimisht nga Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi. Për rrjedhojë, gjatë periudhës së pezullimit, ministria përkatëse ka pasur bllokim real të funksionimit normal, sidomos në aspektin e nismave ligjore dhe vendimmarrjes.

Në diskutim u theksua gjithashtu se Këshilli i Ministrave nuk ka hapësirë ligjore për të deleguar kompetencat e një ministri te një ministër tjetër përkohësisht. Një veprim i tillë do të kërkonte ristrukturim të plotë të qeverisë, pra kalimin e portofolit të një ministrie te një tjetër ose marrjen e portofolit nga Kryeministri, çka në praktikë do të barazohej me shkarkimin e ministrit ekzistues. Sipas argumentimit juridik, ministritë funksionojnë vetëm me ministër titullar dhe çdo zgjidhje tjetër do të ishte në kundërshtim me rendin kushtetues.

Gjatë seancës, u sqarua se pas heqjes së masës së pezullimit nga Gjykata Kushtetuese, ministrja përkatëse ka propozuar dhjetëra projektakte, çka sipas përfaqësuesve të qeverisë tregon se pezullimi kishte krijuar një ngërç real institucional dhe administrativ në sektorët që ajo drejton.

Në thelb, qëndrimi i Këshillit të Ministrave në Gjykatën Kushtetuese ishte se as zëvendësimi nga zv.ministri dhe as delegimi i kompetencave nuk janë të parashikuara nga ligji, pa ndryshuar strukturën e qeverisë. Për këtë arsye, sipas ekzekutivit, pezullimi i një ministri krijon pasoja të drejtpërdrejta në funksionimin e shtetit dhe nuk mund të trajtohet si një akt pa efekt praktik.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033