PS rrëzon kërkesën për arrestimin e Ballukut, Rama: Nuk kishte kriteret minimale

Partia Socialiste nuk ka dhënë lejen për arrestimin e Belinda Ballukut. Një ditë pas votimit në Kuvend, kryeministri Edi Rama doli në konferencë për shtyp dhe mbrojti vendimin e shumicës.

Ai tha se kërkesa e Prokurorisë së Posaçme nuk përmbushte kushtet minimale për t’u konsideruar me qëllim zëvendësimin e masës. Sipas tij, çështja nuk lidhet me korrupsion, pasi vetë Prokuroria nuk ka ngritur një akuzë të tillë.

“Deri tani nuk jemi përballë një çështjeje korrupsioni. Kjo është pak, por është e sigurt”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se hetimi mund të vijojë pa asnjë pengesë dhe inkurajoi Prokurorinë të ndjekë çdo pistë të mundshme. Ai përdori shprehjen se organi i akuzës duhet të hetojë kudo ku mund të shfaqet “ferra e korrupsionit”.

Rama reagoi edhe ndaj polemikave për qëndrimin e partnerëve ndërkombëtarë. Ai pranoi se ka pasur debat për qasjen ndaj kësaj çështjeje, por theksoi se kjo nuk ndikon në procesin e integrimit.

“Nuk ka asnjë frenim në rrugën tonë të pandalshme drejt anëtarësimit të plotë në BE”, deklaroi ai.

Sipas kryeministrit, në ushtrimin e detyrës ai përfaqëson interesin e Shqipërisë dhe të gjithë qytetarëve. Ai shtoi se marrëdhënia me partnerët ndërkombëtarë bazohet në respekt dhe komunikim të drejtpërdrejtë, “në të njëjtën lartësi”.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033