Maldrita Bardho heq dorë nga ulësja në Kuvend, ndonëse fitoi me 10 vota më shumë pas rinumërimit, duke i hapur rrugën rikthimit të Zegjine Çaushit
Një vendim i papritur politik ka ardhur nga qarku i Fierit, ku Maldrita Bardho ka dhënë dorëheqjen nga mandati i deputetes,pasi rinumërimi i votave e shpalli fituese me 10 vota më shumë se kolegia e saj në PS, Zegjine Çaushi. Bardho nuk do të mandatohet në Kuvend dhe në vend të saj do të rikthehet Çaushi.
Përmes një reagimi publik në rrjetet sociale, Bardho theksoi se vlerëson përkrahjen e qytetarëve dhe besimin e Partisë Socialiste, por se kishte marrë vendimin për t’u tërhequr që përpara rinumërimit dhe tani e kishte konfirmuar përfundimisht. Ajo deklaroi se do të vazhdojë të japë kontributin e saj për Lushnjen dhe për PS-në, jashtë parlamentit.
Në mesazhin e saj, Bardho u shpreh se do ia lërë vendin me kënaqësi koleges Zegjine Çaushi, duke e cilësuar si një zë të rëndësishëm për të rinjtë dhe sidomos për vajzat. Ajo vlerësoi përpjekjet dhe angazhimin e Çaushit gjatë fushatës, duke e përshkruar si një figurë që është përballur me sulme të padrejta nga politika e vjetër.
Kjo lëvizje e befasishme vjen pas një gare të ngushtë zgjedhore në qarkun Fier, ku rinumërimi i votave ndryshoi rezultatin përfundimtar, duke i dhënë Bardhos epërsinë me një diferencë minimale. Megjithatë, aktualisht vendin në Kuvend do ta zërë sërish Zegjine Çaushi, falë dorëheqjes së Bardhos.
Vendimi i saj është përshëndetur nga mbështetësit si një gjest dinjitoz që vë në plan të parë unitetin dhe bashkëpunimin brenda forcës politike, në një moment kur përçarjet mund të dëmtonin imazhin e partisë në opinionin publik.
Ky rast i rrallë në skenën politike shqiptare nënvizon një tjetër model të sjelljes publike, ku gara politike nuk përkthehet në përplasje personale, por në vendimmarrje në funksion të grupit dhe përfaqësimit më të mirë. Bardho ka premtuar se do të mbetet aktive në çdo iniciativë politike dhe qytetare në Lushnje.