Partia Socialiste ka dalë kundër kërkesës së SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetes Belinda Balluku, duke argumentuar se nuk ekzistojnë kushte të reja që ta justifikojnë zëvendësimin e masës aktuale të sigurisë me arrest.
Raporti i shumicës u paraqit nga Ulsi Manja, i cili rikujtoi se ndaj Ballukut është në fuqi masa e ndalimit të daljes jashtë shtetit që prej nëntorit 2025, ndërsa kërkesa për autorizim arresti është depozituar në Kuvend më 16 dhjetor 2025.
“Prokuroria thotë se janë shtuar fakte dhe episode të reja penale, çka e shton sanksionin e veprës dhe dëmin hipotetik që ka pësuar shteti. Në vlerësimin tonë, nëse çdo zgjerim i hetimit do të konsiderohej rrethanë e re që justifikon arrestin, çdo procedim penal me shumë episode do të përfundonte në paraburgim”, deklaroi Manja.
Ai shtoi se, sipas analizës së shumicës, edhe me pretendimin për shtim faktesh, thelbi i veprës penale nuk ndryshon. “Edhe me shtimin e fakteve të pretenduara, vepra penale mbetet e njëjtë. Nuk ka një vepër penale të re që t’i jetë shtuar Belinda Ballukut”, tha ai.
Sa i takon argumentit të SPAK për rrezikun e prishjes së provave, Manja theksoi se prokuroria i referohet periudhës kur Balluku ushtronte funksionin e ministres. “Ky shkak tani ka rënë. Ndaj Ballukut nuk ka një akuzë për pengim të drejtësisë. Nuk ka asnjë provë, direkte apo indirekte, që deputetja të ketë përdorur ndikimin e saj për të prishur provat”, u shpreh ai.
Duke komentuar pretendimet për intimidim të dëshmitarëve, Manja përmendi një procesverbal ku dy shtetase bisedojnë për një dëshmi të dhënë në SPAK. “Nuk rezulton as nga procesverbali, as nga deklarimet e kësaj shtetase që ajo të jetë intimiduar. Nga deputetja jo e jo, por edhe kur thuhet nga ‘Kabineti’, ai është nocion abstrakt. Hetimi penal nuk mund të zhvillohet mbi kabinetin”, deklaroi ai.
Sipas Manjës, edhe në rastin kur përmenden persona të fortë, vetë dëshmitarja ka deklaruar se i qëndron dëshmisë së saj. Ai kujtoi se ajo ka statusin e të pandehurës në këtë procedim, çka sipas Kodit kërkon që deklarimet e saj të merren me rezervë.
“Rreziku i prishjes së provave nuk u provua me fakte reale, por janë konsiderata që në themel kanë ish-funksionin e ministres që mbante Balluku. Po të kishte prishje provash, do të kishte një akuzë të dytë për pengimin e drejtësisë”, përfundoi Manja.