Pamje filmike të administruara në dosjen hetimore të vrasjes së biznesmenit të ndërtimit Eduart Reçi zbulojnë veprime thellësisht të dyshimta të një punonjësi policie në vendin e krimit. Materialet, tashmë pjesë e fashikullit hetimor që po shqyrtohet nga autoritetet, hedhin dyshime serioze mbi mënyrën se si është trajtuar një nga provat kyçe të ngjarjes.
Në pamje shihet silueta e një oficeri policie, me trup të shëndoshë dhe i veshur me xhup me kapuç, i identifikuar më pas me inicialet Z.B. Ai shfaqet duke marrë nga trotuari një send të vogël metalik, i dyshuar si predha e armës së zjarrit me të cilën u vra biznesmeni Reçi.
Sipas sekuencave filmike, oficeri fillimisht e lëviz objektin me këmbë, më pas e merr me dorë, e pastron dhe e rrotullon mes gishtave, përpara se ta fusë në xhepin e xhupit. Pas këtij veprimi, i njëjti punonjës policie bashkohet me kolegët dhe sillet sikur po kërkon predhën në trotuar, duke përdorur ndriçim elektrik dhe dritat e telefonave celularë.
Pamjet tregojnë se rreth 40 minuta pas vrasjes, një grup oficerësh të Drejtorisë së Policisë Tiranë nisën kontrollin e zonës ku dyshohej se kishte përfunduar predha, pranë shkallëve të një biznesi, vend që policia e konsideronte si këndin e qitjes. Të paktën tetë punonjës policie kontrolluan për disa minuta terrenin, në një vendngjarje që, sipas pamjeve, nuk ishte e rrethuar dhe ku lëviznin lirshëm disa persona.
Megjithatë, i vetmi që duket se gjen një objekt metalik është oficeri me kapuç. Ai ulet në trotuar, e merr sendin dhe e fsheh, pa informuar kolegët e tij dhe pa u mbajtur asnjë proces-verbal për gjetjen e provës në vendin e krimit. Pas kësaj, ai vijon kontrollin rutinë dhe largohet nga zona, sikur asgjë të mos kishte ndodhur.
Distanca mes vendit ku u qëllua viktima dhe pikës ku dyshohet se u gjet predha është vetëm disa metra. Pas një kohe të shkurtër, oficerët rikthehen për një tjetër kontroll pranë shkallëve të biznesit, por pa gjetur asnjë provë.
Sipas dokumentacionit hetimor, për shkak të pamundësisë për të gjetur predhën gjatë natës, kontrolli u ndërpre dhe u krye një këqyrje tjetër ditën pasuese. Kjo u zhvillua në një zonë tjetër, larg vendit fillestar të dyshuar, dhe zgjati më pak se dhjetë minuta. Në këtë rast u mbajt një proces-verbal, ku policia pretendon se u gjet një send metalik shumë i vogël, i përshkruar si i ngjashëm me një copëz gozhde, që dyshohej se kishte shkaktuar vdekjen e biznesmenit.
Objekti u dërgua për ekspertizë laboratorike për gjurmë biologjike, por rezultatet dolën negative, pa shenja gjaku apo inde kockore, duke ngritur pikëpyetje të forta mbi vlerën provuese të tij.
Në kuadër të kësaj çështjeje, policia dhe prokuroria urdhëruan arrestimin e dy vëllezërve, Florjan Dukaj dhe Shkëlqim Dukaj, ky i fundit oficer i policisë gjyqësore. Të dy kanë mohuar në mënyrë të vazhdueshme autorësinë e krimit, si gjatë hetimeve ashtu edhe në procesin gjyqësor.
Ata kanë depozituar kallëzime penale pranë organeve të drejtësisë, duke pretenduar se një grup oficerësh policie kanë ndërhyrë në vendngjarje dhe kanë asgjësuar prova të rëndësishme që lidhen drejtpërdrejt me vrasjen e Eduart Reçit. Pamjet filmike, tashmë pjesë e dosjes, rrezikojnë ta kthejnë këtë çështje nga një hetim vrasjeje në një provë alarmante për mënyrën se si ruhet, ose zhduket, e vërteta në vendin e krimit.