Bllokimi i qarkullimit në Zogun e Zi ka nisur si pjesë e protestave të opozitës, ndërsa tensionet po rriten mes protestuesve dhe drejtuesve të automjeteve.
Në shenjë revolte ndaj qeverisë, protestuesit janë mbledhur në këtë pikë kyçe të kryeqytetit, duke thirrur në kor “Rama ik, Rama ik”.
Situata është bërë e tensionuar, pasi disa shoferë kanë shfaqur zemërim ndaj bllokimit të lëvizjes, ndërsa protestuesit këmbëngulin në vijimin e aksionit të tyre civil. Në vendngjarje kanë mbërritur edhe forca policore për të mbajtur nën kontroll situatën dhe për të parandaluar përshkallëzimin e konfrontimeve.
Policia pritet të përdorë megafonë për t’i bërë thirrje protestuesve të zhbllokojnë rrugët dhe të lejojnë qarkullimin normal të automjeteve. Autoritetet kanë paralajmëruar më herët se veprime të tilla përbëjnë shkelje ligjore dhe se protestuesit mund të përballen me pasoja ligjore.
Bllokimi nuk është i kufizuar vetëm në Zogun e Zi, pasi edhe pika të tjera të rëndësishme në Tiranë janë përfshirë nga protesta. Kjo ka krijuar kaos të gjerë në qarkullimin rrugor dhe ka ndikuar negativisht tek qytetarët që përdorin këto rrugë për lëvizjet e përditshme.
Thirrjet e protestuesve kundër qeverisë janë dëgjuar në të gjitha pikat e bllokuara, ndërsa opozita duket e vendosur të vazhdojë aksionin e saj si pjesë e një strategjie për të rritur presionin ndaj institucioneve shtetërore.
Forcat policore kanë shtuar prezencën e tyre në këto pika për të shmangur përshkallëzimin e situatës dhe për të garantuar sigurinë publike. Ndërkohë, qytetarët janë bërë thirrje për qetësi dhe respektim të ligjit.
Protesta pritet të vazhdojë për disa orë, duke rritur shqetësimet për trafikun dhe tensionet në kryeqytet. Policia po mban nën vëzhgim zhvillimet në terren, ndërsa organizatorët e protestës duken të vendosur për të mos hequr dorë nga kërkesat e tyre.