Protestë për të Drejtat: Punonjësit e pastrimit në Gjirokastër kërkojnë rritje pagash dhe respektim të kushteve të punës

Punonjësit e Ndërmarrjes së Pastrim-Gjelbërimit në Gjirokastër kanë dalë sot në protestë përballë godinës së Bashkisë, duke kërkuar rritjen e pagave që, sipas tyre, u është premtuar prej më shumë se një viti.

Me pankarta në duar dhe kërkesa të qarta, ata theksuan se nuk do të tërhiqen pa takuar kryetarin e Bashkisë.

Protestuesit shprehën shqetësimin e tyre për kushtet e vështira të punës dhe mosrespektimin e të drejtave bazë, si pushimet dhe pagesat për lejet vjetore. “Prej 1 viti e 6 muaj na kanë thënë që do rriten rrogat. Ne marrim vetëm 350 mijë lekë të vjetra. Nuk duam premtime, duam zgjidhje konkrete,” deklaroi një nga punonjësit.

Kushtet e punës janë një tjetër pikë e nxehtë e debatit. Sipas tyre, uniformat nuk janë të përshtatshme dhe shpesh herë mbeten vetëm në premtime. “Na thonë se do të na sjellin çizme e jelekë, por asgjë nuk ndodh. Nuk na duhen premtimet; të na rrisin pagat,” theksuan protestuesit.

Ata ngritën akuza të forta për abuzime të mundshme me fondet publike, duke pretenduar se në listat e punonjësve figurojnë persona që nuk punojnë realisht. “Ka njerëz që marrin rrogën, por nuk vijnë kurrë në terren. Kjo është padrejtësi ndaj nesh që punojmë pa pushim,” u shpreh një tjetër protestues.

Presionet dhe kërcënimet për largim nga puna janë bërë pjesë e përditshmërisë së tyre, sipas deklaratave të punonjësve. Ata treguan se janë të persekutuar nga eprorët e tyre dhe se shpesh ndihen të nëpërkëmbur. “Na bëjnë presion të kthehemi në punë dhe na kërcënojnë se do të na largojnë. Nuk kërkojmë lëmoshë; kërkojmë të drejtat tona,” thanë ata me tone të ashpra.

Një tjetër shqetësim është mosrespektimi i Kodit të Punës. Punonjësit thanë se nuk kanë marrë asnjë ditë pushim gjatë vitit dhe se festat zyrtare janë trajtuar si ditë të zakonshme pune. “Jemi të lodhur nga ky trajtim. Nuk kemi pushime dhe as respekt për djersën tonë,” u shprehën protestuesit.

Pavarësisht presionit të protestës, Bashkia e Gjirokastrës ende nuk ka dhënë asnjë reagim zyrtar. Punonjësit thanë se zakonisht orientohen drejt Zyrës së Protokollit, e cila kërkon deri në 10 ditë për të dhënë një përgjigje. Megjithatë, ata shprehën vendosmërinë për të vazhduar protestën deri në marrjen e zgjidhjes.

Kjo protestë hedh dritë mbi një problematikë më të gjerë të kushteve të punës dhe trajtimit të punonjësve në sektorët publikë në Shqipëri. Ndërkohë që autoritetet lokale heshtin, zëri i punonjësve të pastrimit vazhdon të ushtojë me kërkesat për dinjitet dhe drejtësi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera