Protestë në Seman për tokat bujqësore të zëna nga projekti i paneleve diellore

Dhjetëra banorë të pesë fshatrave në Fier kundërshtojnë ndërtimin e paneleve diellore mbi toka bujqësore që i kanë shfrytëzuar për 35 vite

Tension dhe pakënaqësi e thellë ka shpërthyer mes dhjetëra banorëve të fshatrave Sektor, Seman, Hamil, Sulaj dhe Baltëz, të cilët protestuan paraditen e sotme në zonën ku ka nisur ndërtimi i një parku me panele diellore. Ata deklarojnë se prej 10 ditësh makineritë kanë hyrë në tokat që i kanë përdorur për dekada me qëllim bujqësor dhe blegtoral, pa asnjë paralajmërim apo njoftim zyrtar.

Banorët theksojnë se këto janë toka pjellore dhe jo toka të pashfrytëzueshme apo kripore, siç pretendohet nga autoritetet. Ata i kanë paguar të gjitha detyrimet në njësinë administrative Topojë-Seman dhe e kanë të lidhur jetesën me bujqësinë dhe bagëtitë që mbajnë me këtë tokë.

Mungesa e transparencës për projektin ka qenë një tjetër pikë e nxehtë për protestuesit. Askush prej tyre nuk është informuar për ndonjë vendim apo miratim për ndërtimin e paneleve diellore në këtë zonë, e aq më pak për ndikimin që ky projekt mund të ketë në jetesën e tyre.

“Na duhet të çojmë delet e lopët te Kryeministria, te Edi Rama dhe të largohemi nga shtëpitë tona. Le të vijnë indianët të punojnë këtu,” u shpreh një banor në mënyrë simbolike, duke treguar revoltat që kanë marrë përmasat e një proteste të zëshme.

Banorët kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të Ministres së Bujqësisë për të sqaruar situatën në terren. Ata paralajmërojnë se nëse nuk ka reagim dhe sqarim institucional, protesta do të përshkallëzohet në përmasa më të mëdha në ditët në vijim.

Për komunitetin vendas, kjo tokë është më shumë se një hapësirë për kultivim – ajo është themeli i mbijetesës, dhe çdo ndërhyrje pa konsultim shihet si cënim i të drejtave bazë të jetesës.

Zhvillimi i projekteve të energjisë së rinovueshme mbetet një qëllim i rëndësishëm për vendin, por mosrespektimi i banorëve dhe i ligjeve të informimit e konsultimit publik mund të sjellë konflikt social në vend të përfitimeve.

Ndaj Postimin: