Shtatë persona kanë humbur jetën dhe qindra janë plagosur, ndërsa ndërtesa publike janë djegur e plaçkitur nga protestat e dhunshme kundër qeverisë në mbarë Indonezinë.
Protestat masive nisën më 25 gusht, kur mijëra qytetarë u mblodhën para parlamentit për të kundërshtuar një shtesë të madhe për banesat e deputetëve, gati dhjetëfish më të lartë se paga minimale në Jakarta. Pakënaqësia u thellua nga masat shtrënguese të Presidentit Prabowo Subianto, i cili ka prerë fondet për arsimin, shëndetësinë dhe punët publike. Grupi studentor “Gejayan Memanggil” akuzoi elitën qeveritare për korrupsion dhe favore ndaj konglomerateve e ushtrisë.
Trazirat morën kthesë të dhunshme pasi një shofer shpërndarjesh 21-vjeçar u vra në Jakarta, duke u shtypur nga një automjet i forcave speciale të policisë. Pamjet filmike ndezën zemërimin dhe protestat u përhapën në shumë qytete, nga Gorontalo e Bandung, te Makassar e Yogyakarta. Në Makassar, tre persona humbën jetën nga një zjarr i shkaktuar në një ndërtesë këshilli, ndërsa një tjetër u vra nga turma që e ngatërroi me agjent të inteligjencës.
Rastet tragjike nuk munguan as në qytete të tjera. Një student u vra gjatë përplasjes me policinë në Yogyakarta, ndërsa një shofer biçiklete me kosh 60-vjeçar humbi jetën nga pasojat e gazit lotsjellës në Solo. Ndërkohë, shtëpia e ministres së financave u plaçkit, ashtu si edhe banesa të disa deputetëve. Në pesë ditë protesta në Jakarta, policia arrestoi mbi 1.240 persona, ndërsa dëmet materiale llogariten në rreth 55 miliardë rupiah.
Presidenti Prabowo, i cili anuloi një vizitë zyrtare në Kinë, urdhëroi forcat e sigurisë të veprojnë me ashpërsi kundër “akteve të paligjshme, tradhtisë dhe terrorizmit”. Ai premtoi shkurtimin e përfitimeve të deputetëve, përfshirë shtesën e banesës, dhe reduktimin e udhëtimeve jashtë vendit. Për rastin e shoferit të vrarë, Prabowo tha se po zhvillohet një hetim i shpejtë dhe i hapur ndaj shtatë oficerëve të dyshuar, ndërsa familja e viktimës do të mbështetet financiarisht.
Pavarësisht kritikave, kreu i shtetit shpërbleu 40 efektivë policie të plagosur gjatë protestave, duke theksuar se “nuk duhet harruar sakrifica e tyre, edhe nëse disa gabuan”. Kjo qasje e dyfishtë u shoqërua me kritika të ashpra nga organizatat ndërkombëtare.
OKB-ja kërkoi hetim për përdorimin e forcës së tepruar, ndërsa Human Rights Watch akuzoi autoritetet indoneziane se kanë trajtuar protestuesit si tradhtarë apo terroristë. Drejtoresha për Azinë, Meenakshi Ganguly, paralajmëroi për historinë e gjatë të dhunës së panevojshme të forcave të sigurisë ndaj demonstruesve.
Shumë ambasada, përfshirë ato të SHBA-së, Australisë, Francës dhe Kanadasë, paralajmëruan qytetarët e tyre të shmangin zonat e protestave dhe tubimet masive, duke e cilësuar situatën si të rrezikshme dhe të paparashikueshme.