Protestat e Gen Z tronditin Nepalin pas ndalimit të rrjeteve sociale

Të paktën 19 të vrarë dhe qindra të plagosur në protestat rinore në Nepal, pas ndalimit të rrjeteve sociale, korrupsionit të përhapur dhe krizës ekonomike.

Nepali përballet me trazirat më të rënda të dekadave të fundit, teksa mijëra të rinj 13–28 vjeç sfidojnë shtetrrethimin dhe dalin në rrugë kundër ndalimit të rrjeteve sociale, korrupsionit dhe mungesës së shanseve ekonomike. Autoritetet raportuan të paktën 19 viktima dhe qindra të plagosur.

Policia përdori municion luftarak, gaz lotsjellës dhe topa uji në disa qytete. Në Kathmandu, turma u përplas me forcat te kompleksi i parlamentit; një ambulancë u dogj dhe u hodhën objekte drejt policisë, sipas Reuters. “Policia po qëllon pa dallim,” tha një protestues për agjencinë indiane ANI.

Pamje nga kryeqyteti treguan një kabinë policie të djegur dhe orendi të hedhura jashtë zyrës së Nepali Congress, partia më e madhe. Qindra të rinj, shumë me uniforma shkollore, u grumbulluan sërish të martën, përkundër shtetrrethimit në qendër.

Përplasjet u përhapën edhe në jug të Kathmandu-t. Në Chandrapur, policia qëlloi në ajër ndërsa protestuesit sfiduan urdhrat. Një makinë policie u vu në flakë, thanë autoritetet lokale për CNN. Në Itahari, lindje të vendit, u raportuan edhe dy viktima.

Zemërimi u ndez nga bllokimi i platformave si Facebook, Instagram, WhatsApp, YouTube dhe X. Qeveria hartoi rregulla të reja kundër “lajmeve të rreme” dhe i kërcënoi platformat që nuk regjistrohen. Deri në mesnatën e së enjtes së kaluar, 26 platforma “u errësuan”, sipas mediave vendase.

Organizatorët theksojnë se protesta shkon përtej rrjeteve sociale: është shpërthim i frustrimit të një brezi pa perspektivë. Papunësia e të rinjve 15–24 vjeç arriti 20.8% në 2024, sipas Bankës Botërore. Ndërkohë, një valë virale kundër “Nepo Kids” thelloi zemërimin ndaj luksit të fëmijëve të politikanëve.

Ekonomia mbështetet fuqishëm te remitancat. Banka Botërore vlerëson se 33.1% e PBB-së vjen nga dërgesat e emigrantëve, aq sa shumë të rinj shohin të ardhmen jashtë vendit. “Të gjithë janë lodhur nga korrupsioni. Duam të mbajmë të rinjtë në vend dhe të forcojmë ekonominë,” i tha një protestues Reuters-it.

Të hënën, dhuna la mbi 400 të lënduar, mes tyre edhe efektivë sigurie, sipas Ministrisë së Shëndetësisë. Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut u shpreh “e tronditur” dhe kërkoi hetim transparent. Amnesty International paralajmëroi: “Përdorimi i forcës vdekjeprurëse kundër protestuesve që nuk paraqesin kërcënim të menjëhershëm bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare.”

Qeveria u trondit nga dorëheqjet. Ministri i Brendshëm Ramesh Lekhak u largua të hënën, konfirmoi për mediat Ministri i Komunikimeve Prithvi Subba. Ministrat e bujqësisë dhe ujit njoftuan dorëheqjen në rrjete sociale. Ekzekutivi hoqi gjithashtu ndalimin e platformave.

Kryeministri KP Sharma Oli deklaroi se nuk është “negativ ndaj kërkesave të brezit Gen Z” dhe u shpreh “thellësisht i trishtuar” për ngjarjet. Në një deklaratë, ai fajësoi “infiltrimin e grupeve me interesa të caktuara” për dhunën, pa dhënë detaje.

Nepali, vend himalajas me rreth 30 milionë banorë, ka kaluar më shumë se një duzinë qeverish që prej vitit 2008, kur republika zëvendësoi monarkinë 239-vjeçare pas një lufte civile dhjetëvjeçare. Editoriali i gazetës më të shitur të vendit kërkoi dorëheqjen e Oli-t, duke argumentuar se pas gjakderdhjes së së hënës “ai nuk mund të qëndrojë as edhe një minutë më shumë në karrigen e kryeministrit.”

Ndaj Postimin: