Banorët e Thethit paralajmërojnë mobilizim të diasporës dhe gjithë veriut për të mbrojtur tokat dhe kullat nga ndërhyrjet e shtetit
Një situatë e tensionuar po përshkallëzohet në Theth, pas ndërhyrjeve të shtetit për prishjen e ndërtimeve në zonë. Një banor vendas, i revoltuar nga veprimet e autoriteteve, ka reaguar ashpër në një deklaratë publike, ku ka krahasuar aksionin me pushtimin serb në Kosovë, duke paralajmëruar një reagim të gjerë kombëtar.
Ai ka theksuar se nuk ndodhet vetëm, por ka mbështetjen e shqiptarëve nga të katër anët e vendit dhe të diasporës. “Nga Kosova në Bruksel, të gjithë janë gati të vijnë. Kam marrë qindra mesazhe. Do të mbroj popullin tim me të drejtë,” është shprehur ai, duke bërë thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të aksionit.
Me tone të forta, qytetari i drejtohet qeverisë dhe veçanërisht kryetarit të bashkisë Shkodër, Benet Beci, duke e akuzuar për veprime të papranueshme ndaj komunitetit vendas. “Kujt po ia shemb shtëpitë, o Benet Beci? Vëllaut tënd shqiptar? Kjo nuk duhej të kishte ndodhur kurrë,” u shpreh ai.
Në deklaratën e tij, banori paralajmëroi organizimin e një proteste masive në Theth, duke ftuar mbështetje nga Dukagjini, Puka, Kukësi dhe Malësia e Madhe. “Mos guxoni me shfrytëzu rastin. Kullat tona nuk janë për t’u prekur. I ndërtuam me djersë dhe i mbrojtëm me gjak,” u shpreh ai me emocione të forta.
Ai shtoi se shqiptarët janë të gatshëm për dialog dhe nuk kërkojnë përplasje, por nuk do të lejojnë që trashëgimia dhe pronat të shkelen. “Mos na prekni, sepse jemi vëllezër dhe duam që gjithçka të zgjidhet me mirëkuptim,” theksoi ai, duke apeluar për ndaljen e menjëhershme të ndërhyrjeve.
Deklarata është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, duke ndezur debat për trajtimin e banorëve të zonave turistike dhe për mungesën e konsultimeve me komunitetin. Shumë qytetarë kanë shprehur solidaritet dhe kanë kërkuar ndalimin e veprimeve të njëanshme.
Thethi, një nga perlat natyrore të Shqipërisë, rrezikon të shndërrohet në arenë përplasjeje mes banorëve autoktonë dhe shtetit, nëse nuk gjendet një zgjidhje e menjëhershme dhe e drejtë për të dy palët.