Protesta kundër ligjit të barazisë gjinore në sheshin “Skënderbej”

Qytetarë, aktivistë dhe prindër u mblodhën në Tiranë për të kundërshtuar ligjin e barazisë gjinore, duke kërkuar që Presidenti Begaj të mos e dekretojë.

Koalicioni “Pro Familjes dhe Jetës” zhvilloi këtë të shtunë një tubim të gjerë në sheshin “Skënderbej”, ku dhjetëra qytetarë dolën në protestë kundër ligjit të barazisë gjinore. Organizatorët deklaruan se ky ligj rrezikon të cënojë vlerat tradicionale dhe strukturën e familjes shqiptare.

Në shesh u panë edhe shumë fëmijë të veshur me simbole kombëtare, një mesazh që prindërit e tyre e përkufizuan si “mbrojtje të identitetit shqiptar”. Pjesëmarrësit u shprehën të shqetësuar se ndryshimet ligjore do të ndikojnë drejtpërdrejt te brezat e rinj.

Protestuesit kërkojnë që Presidenti Bajram Begaj të mos dekretojë ligjin e miratuar në Kuvend. Për këtë arsye, vetëm pak ditë më parë ata i dorëzuan Presidentit një letër zyrtare ku argumentojnë kundërshtimin e tyre.

Në duart e protestuesve u mbajtën shumë pankarta, mes të cilave spikaste edhe ajo me mbishkrimin: “Vrasësit e traditës = Tradhtarë të kombit”. Mesazhet ishin të drejtpërdrejta dhe të ngarkuara me tone emocionale për të shprehur shqetësimin e qytetarëve.

Aktivistja e njohur e koalicionit, Linda Pano, mori fjalën para të pranishmëve duke bërë thirrje për mbrojtjen e fëmijëve. Ajo u shpreh se ligji prek rëndë fëmijët e moshës 4 deri në 18 vjeç, duke imponuar mësimin e edukimit gjinor në shkolla.

“Mos m’i prekni fëmijët. Ky ligj prek fëmijët nga 4 deri në 18 vjeç dhe detyron mësimin e edukimit gjinor. 77 tradhtarë Shqipërie ia vunë kokën në hi. President, mos u bëj i 78-ti”, deklaroi Pano në fjalimin e saj.

Sipas aktivistëve të koalicionit, ligji për barazinë gjinore fut koncepte që, sipas tyre, nuk përputhen me kulturën dhe traditën shqiptare. Ata thonë se ndryshimet e tilla kërkojnë më shumë debat publik dhe konsultim me prindërit.

Protesta vijoi pa incidente, ndërsa organizatorët paralajmëruan se do të vazhdojnë veprimet civile derisa kërkesa e tyre të merret parasysh. Në ditët në vijim, Koalicioni “Pro Familjes dhe Jetës” paralajmëron nisma të tjera për të kundërshtuar ligjin.

Ndaj Postimin: