Protesta e PD-së në Tiranë shkakton kufizime qarkullimi

Partia Demokratike pritet të zhvillojë ditën e nesërme një protestë në Tiranë, e cila do të nisë në orën 17:00 përpara Kryeministrisë. Për zhvillimin e këtij tubimi, përfaqësues të PD-së kanë njoftuar zyrtarisht Policinë e Tiranës.

Në funksion të garantimit të rendit dhe sigurisë publike, Policia e Tiranës ka bërë të ditura masat që do të merren, të cilat përfshijnë kufizime dhe bllokime të qarkullimit në disa akse kryesore të kryeqytetit.

Sipas njoftimit zyrtar, duke nisur nga ora 23:45 e mbrëmjes së sotme do të ndalohet lëvizja dhe parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në segmentin nga “Ura e Dajtit” deri te rruga “Ismail Qemali”.

Ndërkohë, ditën e shtunë, nga ora 15:00 dhe deri në përfundim të protestës, do të bllokohet qarkullimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Policia bën me dije se, në varësi të situatës dhe ecurisë së protestës, kufizimet e qarkullimit mund të shtrihen edhe në akse të tjera rrugore.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjen me automjete në zonat e prekura nga bllokimet dhe të ndjekin udhëzimet e Policisë, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033