Policia e Elbasanit ka arrestuar tre protestues pas bllokimit të rrethrrotullimit në Bradashesh, si dhe përplasjeve që ndodhën me forcat e rendit.
Ndërkohë, tre deputetë dhe 20 protestues të tjerë janë vënë nën hetim, ndërsa për tre persona të tjerë është shpallur kërkim. Deputetët që po hetohen janë Tomorr Alizoti, Tritan Shehu dhe Qani Xhafa.
Nga njoftimi i Policisë së Elbasanit bëhet e ditur se, pas veprimeve hetimore dhe operacionale në lidhje me tubimin e zhvilluar ditën e djeshme, janë arrestuar në flagrancë tre shtetas nga Elbasani: A. P., H. L. dhe E. P., për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të policisë”.
Ndërkohë, janë dërguar materialet në Prokurori, ku është nisur procedimi në gjendje të lirë për deputetët e Partisë Demokratike, T. A., Q. A., dhe E. S., si dhe për disa shtetas të tjerë. Hetimet lidhen me organizimin dhe pjesëmarrjen e tyre në këtë tubim të paligjshëm dhe me bllokimin e qarkullimit të mjeteve.
Gjatë tubimit, protestuesit u grumbulluan në aksin rrugor “Tiranë-Elbasan”, në rrethrrotullimin në Shijon, dhe për rreth dy orë, ata penguan qarkullimin e mjeteve në të dyja anët e rrugës. Nga verifikimet e kryera, u zbulua se disa prej personave të arrestuar kishin lënë automjetet e tyre në rrugë për të bllokuar kalimin, dhe pas përfundimit të protestës, këto mjete u sekuestruan nga policia. Një tjetër automjet është shpallur në kërkim dhe po vijon kërkimi për të.
Policia ka shpallur gjithashtu në kërkim shtetasit L. T., G. C., dhe G. Ç., të cilët janë të dyshuar për pjesëmarrje në organizimin e këtij tubimi dhe për pengimin e lëvizjes së mjeteve.
Përpjekjet për kapjen e këtyre personave të shpallur në kërkim vazhdojnë. Policia po heton gjithashtu edhe për të identifikuar automjetin e katërt që u përdor për bllokimin e rrugës.
Materialet procedurale tashmë janë dorëzuar në Prokurori, e cila do të kryejë veprimet e mëtejshme për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe personat e përfshirë.