Tridhjetë e dy familje në Durrës përballen me nxjerrje të menjëhershme nga shtëpitë e tyre, mes dëshpërimit, thirrjeve për ndihmë dhe mungesës së një zgjidhjeje nga autoritetet vendore.
Një situatë dramatike është regjistruar në zonën e plazhit në Durrës, pranë të ashtuquajturës “rrota e kuqe”, ku 32 familje po nxirren nga banesat ku jetojnë prej më shumë se tre dekadash. “Do të hidhem nga pallati!”, ka deklaruar njëra prej grave të dëshpëruara, sapo përmbarimi i ka kërkuar të largohet menjëherë nga shtëpia. Banesat në fjalë janë përfituar që në vitin 1991 nga familje të pastreha, të cilat prej atëherë kanë jetuar aty në kushte të vështira, duke krijuar jetën dhe komunitetin e tyre.
Megjithatë, në vitin 2012 këto ndërtesa janë blerë nga shtetasi Mikel Noçka, përmes një marrëveshjeje me Bashkinë e Durrësit dhe Ministrinë e Financave të asaj kohe. Ajo që i trondit banorët është fakti se transaksioni është kryer ndërsa ata vazhdonin të jetonin brenda, pa u ofruar asnjë zgjidhje alternative, strehim tjetër apo dokumentacion mbrojtës. Familjet deklarojnë se kanë mbajtur statusin “i pastrehë” gjatë gjithë këtyre viteve.
Banorët janë takuar dy herë me kryetaren aktuale të Bashkisë Durrës, por sipas tyre, takimet nuk kanë sjellë asnjë zgjidhje konkrete. Përkundrazi, siç tregojnë disa prej tyre, u është kërkuar të aplikojnë sërish si të pastrehë, duke u futur në radhën e gjatë ku presin mbi 3000 familje të tjera, një proces që mund të zgjasë me vite pa asnjë garanci për përfitim.
Nga ana tjetër, çështja është ende në proces gjyqësor. Gjykata e Apelit nuk ka dhënë vendim përfundimtar, pasi shqyrtimi është vonuar pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili pritej ta merrte çështjen për vazhdimin e gjykimit. Pra, ndërsa procesi është ende i papërfunduar, familjeve u është kërkuar të largohen menjëherë, pa pritur vendimin dhe pa asnjë plan strehimi.
Banorët thonë se nuk po luftojnë vetëm për muret e një shtëpie, por për të drejtën për të jetuar me dinjitet. Ata deklarojnë se nuk kanë ku të shkojnë, ndërsa situata po tensionohet çdo orë e më shumë. Në mungesë të ndërhyrjes së institucioneve, njerëzit rrezikohen të mbeten në rrugë, përballë një dimri që afrohet.
Kjo ngjarje ka ndezur indinjatë dhe frikë mes banorëve të zonës, ndërsa pyetja mbetet e njëjtë: Kush mbron të pambrojturit kur ligji vonon dhe institucionet heshtin?


