Protesta e kamionistëve hyn në ditën e tretë, qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë i bllokuar në Qafë Thanë

Protesta e kamionistëve në pikën kufitare të Qafë Thanës ka hyrë në ditën e tretë, duke mbajtur të bllokuara dhjetëra mjete të tonazhit të rëndë që lëvizin drejt dhe nga Maqedonia e Veriut.

Në doganë ndodhen kryesisht kamionë me targa të Maqedonisë së Veriut, ndërsa bllokada është paralajmëruar të zgjasë rreth shtatë ditë. Shoqata e Kamionistëve ka bërë të ditur se nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh, protesta mund të zgjatet edhe më tej.

Sipas të dhënave zyrtare, situata në pikën kufitare të Qafë Thanës në territorin shqiptar vijon të jetë e qetë dhe pa problematika për lëvizjen e mjeteve të tjera, ndërsa radhë të gjata kamionësh raportohen në anën maqedonase të kufirit.

Bllokada është pjesë e një proteste më të gjerë të nisur nga Shoqata e Transportuesve të Maqedonisë së Veriut, e cila ka përfshirë rreth 10 pika kufitare dhe afro 370 kamionistë. Protesta lidhet me kundërshtimin e zbatimit të sistemit të ri elektronik të hyrje-daljeve në zonën Schengen, për të cilin transportuesit kërkojnë rritjen e afatit të lejuar të qëndrimit.

Autoritetet e Maqedonisë së Veriut kanë shprehur mbështetje për shqetësimet e transportuesve dhe kanë nisur përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje, ndërsa bllokada pritet të ketë ndikim të ndjeshëm ekonomik në rajon.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033