Protesta e dytë kombëtare më 24 janar, Berisha paralajmëron se Ramën nuk e largojnë amerikanët por qytetarët

Kryesia e Partisë Demokratike ka vendosur zhvillimin e protestës së dytë kombëtare, e cila do të mbahet më 24 janar, ndërsa ora e saj do të përcaktohet në vijim. Vendimi është marrë gjatë mbledhjes së zhvilluar këtë të premte në selinë e PD.

Gjatë diskutimeve në Kryesi, u theksua se momenti për protesta ka kaluar dhe se opozita duhet të hyjë në një fazë të re të aksionit politik. Sali Berisha deklaroi se protesta e vazhdueshme është e vetmja rrugë për largimin e qeverisë aktuale, duke i cilësuar alternativat e tjera si iluzive.

Në fjalën e tij, Berisha u shpreh se gabon kush mendon se largimi i Edi Ramës do të vijë si rezultat i presionit ndërkombëtar apo veprimeve të faktorëve të jashtëm. Sipas tij, kryeministri do të përdorë çdo pushtet për t’u mbrojtur dhe për të qëndruar në pushtet, ndërsa përgjegjësia për ndryshimin bie mbi qytetarët shqiptarë.

Ai theksoi se zhvillimet e fundit janë pozitive për opozitën, duke përmendur miratimin e shtatë rezolutave që, sipas tij, e damkosin Edi Ramën në të njëjtin nivel me presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro. Berisha solli në vëmendje edhe diskutimet ndërkombëtare ku, sipas tij, Shqipëria është vendosur në rend dite për shkak të ngjashmërive mes regjimit të Ramës dhe atij të Madurorit.

Në përfundim, Berisha deklaroi se është i bindur se partnerët ndërkombëtarë do të arrijnë në përfundime të qarta mbi rrezikshmërinë që, sipas tij, përfaqëson Edi Rama në pushtet, ndërsa opozita do të vijojë aksionin e saj politik me protesta të vazhdueshme.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033