Protesta e 22 dhjetorit, 4 persona arrestohen dhe 7 procedohen për dhunë ndaj Policisë

Katër persona janë arrestuar dhe shtatë të tjerë janë proceduar penalisht pas protestës së zhvilluar mbrëmjen e 22 dhjetorit përpara Kryeministrisë, ku u shënuan akte dhune ndaj punonjësve të Policisë dhe përdorim i lëndëve djegëse.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë tubimit të zhvilluar rreth orës 18:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, disa pjesëmarrës hodhën lëndë djegëse artizanale dhe kundërshtuan punonjësit e Policisë së Shtetit, të angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë publike. Si pasojë e përplasjeve, tre efektivë policie mbetën të dëmtuar dhe morën ndihmë mjekësore në spital, ndërsa ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Nga veprimet hetimore janë identifikuar gjithsej 11 shtetas që dyshohet se kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit. Në flagrancë janë arrestuar shtetasit A. K., 39 vjeç, E. S., 36 vjeç, Xh. D., 38 vjeç dhe A. H., 38 vjeç. Ndërkohë, ka nisur procedimi penal për shtetasit B. F., E. M., M. M., Sh. D., K. P., R. B., si edhe për një 16-vjeçar.

Gjithashtu, Policia ka referuar materialet në Prokurori për nisjen e procedimit penal ndaj shtetasit E. M., sekretar organizativ i subjektit politik Partia Demokratike, pasi, në cilësinë e përfaqësuesit organizativ të tubimit, dyshohet se nuk ka zbatuar detyrimet ligjore për identifikimin e personave përgjegjës për mbarëvajtjen e aktivitetit, në bazë të ligjit “Për tubimet”.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, ndërsa grupi hetimor vijon punën për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë kryer veprime të kundërligjshme gjatë protestës.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033