Protesta dhe pasojat ekonomike në Turqi pas arrestimit të Imamoglu

Në Turqi, situata është tensionuar pas arrestimit të kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu, një nga kundërshtarët kryesorë të presidentit Recep Tayyip Erdogan. Imamoglu u burgos me akuzat për korrupsion, ndërsa mbështetësit e tij kanë organizuar protesta të shumta që nga 19 marsi. Këto protesta janë kthyer në disa nga manifestimet më të mëdha të zhvilluara në Turqi gjatë dekadës së fundit, duke shënuar një sfidë të rëndë për autoritetet turke.

Pavarësisht ndalimit të demonstratave nga ana e autoriteteve, që përfshin edhe qytetin e Ankarasë, ku protesta janë ndaluar deri në mesnatën e 1 prillit, mijëra qytetarë kanë dalë në rrugë për të mbështetur Imamoglu. Qeveria ka shpallur gjithashtu se më shumë se 1400 protestues janë arrestuar gjatë këtyre manifestimeve.

Po ashtu, ky incident ka sjellë pasojat të thella për ekonominë turke. Vendi është përballur me një inflacion të lartë që ka arritur në 39.05% muajin e kaluar, pavarësisht një rënieje të dukshme që ka pasuar kulmin në maj 2024, kur inflacioni ishte 75%. Pas arrestimit të Imamoglu, lira turke dhe tregu i aksioneve kanë shënuar një rënie të ndjeshme, duke arritur nivelet më të ulëta historikisht ndaj dollarit dhe euros. Megjithatë, masat e marra nga Banka Qendrore dhe Ministria e Financave kanë ndihmuar në stabilizimin e situatës, duke përmirësuar çmimet e aksioneve.

Arrestimi i Imamoglu, që vjen pas një serie akuzash që përfshijnë korrupsion dhe terrorizëm, ka shkaktuar shqetësime të mëdha. Kryetari i bashkisë së Stambollit është nën akuzë për drejtimin e një organizate kriminale, ryshfet dhe manipulim tenderash, ndërkohë që prokuroria ka njoftuar se janë ndaluar 100 persona, përfshirë gazetarë dhe biznesmenë, të dyshuar për përfshirje në aktivitete kriminale lidhur me tenderat e dhënë nga bashkia.

Në një hetim të dytë, Imamoglu akuzohet për ndihmën ndaj Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), një organizatë që konsiderohet terroriste nga Turqia dhe aleatët e saj perëndimorë. Në këtë çështje, janë arrestuar edhe gjashtë persona të tjerë. Ky zhvillim ka përkeqësuar më tej tensionet në vend, ndërkohë që arrestimet e gazetarëve janë një shenjë tjetër e mospajtimit të autoriteteve me lirinë e medias.

Përveç akuzave për korrupsion, një tjetër ngjarje ka tërhequr vëmendjen: Universiteti i Stambollit ka anuluar diplomën e Imamoglu, duke e konsideruar atë si të pavlefshme dhe me “gabime të dukshme”. Kjo ka sjellë reagime të ashpra, pasi diploma e tij, që u mundësua nga Universiteti Amerikan Girne në Qipro, ka qenë një temë polemike që tani është në qendër të hetimeve.

Imamoglu, i cili u zgjodh kryetar bashkie në vitin 2019 dhe e fitoi përsëri postin në vitin 2024, ka shënuar një rritje të konsiderueshme politike gjatë periudhës së tij në detyrë. Megjithatë, arrestimi i tij ka ngjallur debate të mëdha mbi të ardhmen politike të Turqisë. Disa analistë sugjerojnë se Erdogan mund të kërkojë zgjedhje të parakohshme në vitin 2028, duke përfituar nga rrethana të volitshme për të anashkaluar kufijtë e mandatit.

Ndaj Postimin: