Një ambient i përshtatur për ushtrim prostitucioni është zbuluar në lagjen nr. 13 në Durrës, pas një operacioni dyjavor të policisë.
Operacioni i koduar “Storm 16” çoi në procedimin penal të 11 personave, mes tyre edhe dy shtetase braziliane që dyshohet se ushtronin prostitucion.
Sipas policisë, njëra prej tyre u kap në një hotel, ndërsa tjetra në ambientin e marrë me qira, që shërbente si bazë për këtë veprimtari.
Në hetim është përfshirë edhe administratori i hotelit, i cili akuzohet për fshehje të të ardhurave.
Ndërkohë, janë shpallur në kërkim dy shtetase të tjera braziliane, njëra prej të cilave dyshohet se kishte marrë me qira ambientin ku ushtrohej prostitucioni, ndërsa tjetra dyshohet se kishte ushtruar më herët këtë aktivitet.
Gjatë operacionit u sekuestruan shuma parash të dyshuara si të përfituara nga prostitucioni, 10 telefona celularë dhe pasaporta.
Hetimet u zhvilluan nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, ndërsa materialet procedurale i janë referuar organit të akuzës për veprime të mëtejshme.