“Mbrëmë, Vlora u mbush me zëra që vijnë nga thellësia e traditës sonë.”
Kështu u reklamua Nata e parë e Festivalit Folklorik Tipologjik Kombëtar të Këngës Shumëzërëshe Shqiptare. Me fjalë të mëdha, patos kulturor dhe një narrativë që të krijonte idenë e një eventi madhor, përfaqësues, gjithëpërfshirës. Por realiteti, si gjithmonë, ishte më kokëfortë se propaganda.
Pamjet nga salla e Pallatit të Kulturës “Labëria” flasin vetë. Karrige të shumta bosh, rreshta të tërë pa publik, një pjesëmarrje modeste që bie ndesh drejtpërdrejt me entuziazmin artificial të njoftimeve zyrtare. Një kontrast i fortë mes asaj që u shit si “festë e zërit dhe shpirtit shqiptar” dhe asaj që qytetarët panë realisht: një sallë gjysmë bosh dhe një interes publik i vakët.
Problemi nuk është folklori. Kënga shumëzërëshe është pasuri kombëtare dhe meriton respekt, dinjitet dhe organizim serioz. Problemi është mënyra se si Qarku i Vlorës vazhdon të përdorë kulturën si mbulesë për propagandë, duke hedhur para publike për evente që nuk ndërtohen mbi nevojat reale të komunitetit, por mbi axhenda personale dhe politike. Në këtë rast, gjithçka i ngjan më shumë një koncerti personal për Mockën, sesa një festivali kombëtar me përfaqësim dhe peshë reale.
Kur një aktivitet shitet si “kombëtar”, pritet të ketë jo vetëm emrin, por edhe përmbajtjen: pjesëmarrje të gjerë, përfshirje reale të grupeve, komunikim të ndershëm me publikun dhe, mbi të gjitha, respekt për qytetarët që e financojnë. Sepse këto nuk janë para private, janë para të taksapaguesve vlonjatë, të cilët kanë të drejtë të pyesin: për kë u organizua ky event dhe pse?
Ironia është se folklori nuk ka nevojë për drita verbuese, skena të shtrenjta apo superlativa boshe. Ai jeton në njerëz, në komunitet, në pjesëmarrje. Dhe kur publiku mungon, problemi nuk është publiku – problemi është organizimi.
Qarku i Vlorës duhet të ndalë së talluri me qytetarët. Të ndalë së fryri evente që realisht nuk interesojnë askënd dhe të ndalë së përdoruri kulturën si dekor propagandistik. Sepse propaganda mund të mbushë njoftimet në Facebook, por nuk mbush kurrë karriget në sallë.
Dhe kjo foto, me gjithë karriget bosh, është prova më e sinqertë e një dështimi që asnjë njoftim festiv nuk mund ta fshehë.


