Propaganda e “Tetorit Rozë” dhe realiteti i grave rurale, si edhe mungesa e infermierëve në ambulancat e fshatrave!

Çdo vit, muaji tetor vjen me fushata ndërgjegjësuese për parandalimin e kancerit të gjirit, i njohur tashmë si “Tetori Rozë”.

Institucionet shëndetësore, shkollat, organizatat dhe drejtoritë rajonale organizojnë aktivitete me postera, broshura, fjalime dhe sensibilizime. Në pamje të parë, duket si një përpjekje masive për kujdesin ndaj shëndetit të grave.

Por realiteti në terren, sidomos në zonat rurale të bashkisë Lushnjë, tregon një tjetër pamje. Pas fasadës së ngjyrosur rozë, shumë gra vazhdojnë të mbeten pa akses në shërbimet bazë shëndetësore. Shumë qendra shëndetësore në fshatra dhe qendra administrative mbyllen që në orët e drekës, infermierët nuk respektojnë oraret, ndërsa qytetarët e sëmurë kërkojnë infermierë për të bërë injeksione. Ndërkohë, kontrollet falas mbeten vetëm në letër. Për gratë e fshatrave, fushatat janë të paarritshme dhe shpesh krejt të padobishme.

Propaganda e Tetorit Rozë, në shumë raste, kujton fushatat e dikurshme të komunizmit, shumë zhurmë, pak përmbajtje. Diagnostikimi i hershëm, që është thelbi i kësaj fushate, bëhet i pamundur kur në qendrat shëndetësore të fshatrave dhe njësive administrative mungojnë mjetet, ndërgjegjësimi dhe kur vetë godinat janë të amortizuara.

Ndërkohë që statistikat e rasteve të reja dhe humbjeve nga kanceri i gjirit rriten, përgjegjësia institucionale shpesh maskohet me aktivitete simbolike. Realisht, “Tetori Rozë” duhet të ndodhë në ambulanca, në shtëpitë e grave, aty ku heshtja fsheh dhimbjen dhe ku mungesa e diagnostikimit të hershëm sjell pasoja të rënda.

Nuk mjafton një marsh apo një poster. Nevojitet veprim konkret, kontroll mjekësor real dhe mbështetje e vazhdueshme për gratë, kudo që ato jetojnë. Vetëm atëherë fushata e Tetorit Rozë do të ketë kuptim të vërtetë.

Ky shqetësim vjen për shkak të mungesës së infermierëve dhe mjekëve që largohen pa zbatuar oraret e punës në shumë qendra administrative si Toçkëz, Krutje, Kolonjë, Bubullimë, Ballagat, Karbunarë e Vogël dhe Hyzgjokaj.

Gazetar: Ndriçim Gjoshi

Ndaj Postimin: