Prokuroria zgjeron hetimet për tunelin e Llogarasë

SPAK ka marrë të pandehur zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe 5 vartës të saj, në lidhje me tenderin e tunelit të Llogarasë, duke zgjeruar hetimin për procedurat e dyshuara të prokurimit.

Prokuroria e Posaçme ka shtrirë hetimin për çështjen e tunelit të Llogarasë edhe ndaj 5 zyrtarëve të tjerë të lartë, që kanë ushtruar funksione kyçe në institucionet e infrastrukturës dhe energjisë. Pas marrjes të pandehur të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, masa e procedimit penal prek tashmë edhe bashkëpunëtorët e saj më të afërt në procesin e tenderimit dhe zbatimit të projektit.

Burime pranë SPAK-ut raportuan se personat e marrë të pandehur janë: Evis Berberi, ish-drejtues i ARRSH-së, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim; Genian Gjyli, kreu aktual i ARRSH-së; Erald Elezi, drejtor i KESH-it; si dhe zyrtaret Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashica. Të gjithë këta përfshihen në të njëjtin dosje hetimore së bashku me Ballukun.

Hetimi lidhet me projektin strategjik të ndërtimit të tunelit të Llogarasë, pjesë e aksit Orikum–Himarë, segment i autostradës së re Vlorë–Sarandë. Procedura e tenderimit u hap fillimisht më 11 dhjetor 2020, u anulua, për t’u rihapur më 22 qershor 2021, me një fond limit që arrinte rreth 190 milionë euro pa TVSH.

Sipas SPAK-ut, Balluku dyshohet se ka ndërhyrë në mënyrë të padrejtë në procesin e prokurimit, në periudhën kur mbante funksionin e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë. Këto veprime, sipas organit të akuzës, mund të kenë ndikuar në rezultatin dhe mënyrën e përzgjedhjes së kompanive fituese.

Më 21 tetor 2025, Prokuroria e Posaçme i ka njoftuar zyrtarisht akuzën Ballukut, ndërsa ajo ka kërkuar shtyrje të datës së paraqitjes. SPAK e ka thirrur për të premten, 31 tetor, në orën 15:00, për t’u njohur me akuzën dhe për të dhënë sqarimet e saj.

Në komunikimin zyrtar, SPAK thekson se akuzat ndaj Ballukut lidhen me një nga procedurat e prokurimit të tunelit të Llogarasë. Megjithatë, formulimi i njoftimit hap mundësinë që hetimi të përfshijë edhe tenderë të tjerë të menaxhuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë gjatë kohës së drejtimit të saj.

Dosja e tunelit të Llogarasë është konsideruar prej kohësh një nga projektet më të ndjeshme financiarisht, për shkak të vlerës së lartë të investimit dhe afatit të ngushtë të realizimit. Debati publik është përqendruar te transparenca, mënyra e përzgjedhjes së kompanive dhe kostot përfundimtare të ndërtimit.

Ndërkohë, opinioni publik pret që SPAK të zbardhë përfundimisht nëse vendimmarrja e ndjekur në këtë projekt ka qenë në përputhje me ligjin, apo në shërbim të interesave të caktuara private. Hetimi vazhdon, ndërsa çështja mbetet një nga më të komentuarat në skenën politike dhe institucionale të vendit.

Ndaj Postimin: