Prokuroria pezullon 3 zyrtarë të IMT, dyshohen për shpërdorim detyre

Prokuroria e Tiranës ka vendosur pezullimin nga detyra të tre punonjësve të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT), të dyshuar për mosveprim ndaj një ndërtimi të paligjshëm në zonën e Selitës.

Masa e sigurimit “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” është caktuar ndaj shtetasve E.M., Sh.G. dhe V.Sh., me detyrë inspektorë terreni dhe përgjegjës sektori, të dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim.

Sipas hetimeve të procedimit penal nr. 777 të vitit 2025, në rrugën “Valentina Pistoli” në Selitë po kryheshin punime pa leje nga shtetasi D.G. Ndërtimi rezulton të ketë nisur më 1 nëntor 2021 dhe të ketë përfunduar më 19 prill 2025.

Nga hetimet rezultoi se, megjithëse IMT ushtroi kontroll më 2 prill 2025, inspektorët nuk e pasqyruan ndërtimin si të paligjshëm dhe nuk informuan Kryeinspektorin për vendosjen e masave administrative, përfshirë gjobën, prishjen e objektit apo depozitimin e kallëzimit penal.

Prokuroria vlerëson se ky mosveprim përmbush elementet e veprës penale të parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal.

Hetimet për çështjen vijojnë.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033