Prokuroria e Vlorës ka kryer një kontroll në zyrën e administrimit të aseteve në qytet, ku janë sekuestruar dhjetëra dosje që lidhen me menaxhimin e hapësirave publike, veçanërisht parcelave të plazheve.
Kontrolli është zhvilluar gjatë ditës së martë, nga mesdita deri në orët e vona të mbrëmjes, nga oficerë të policisë gjyqësore dhe të krimit ekonomik, nën drejtimin e prokurorisë. Sipas burimeve, janë verifikuar dokumente që mbulojnë periudhën 2023–2025, ndërsa materialet e fotokopjuara janë marrë për analizë të mëtejshme.
Hetimi lidhet me administrimin e parcelave të plazheve dhe mënyrën e dhënies dhe menaxhimit të tyre. Sipas të njëjtave burime, bëhet fjalë për një procedim penal të nisur më shumë se një vit më parë, i cili po hyn në një fazë më intensive verifikimesh.
Deri më tani, nuk ka një njoftim zyrtar mbi persona konkretë nën hetim, ndërsa prokuroria pritet të japë detaje shtesë pasi të përfundojë analiza e dokumentacionit të sekuestruar.