Prokuroria kërkon burgim të përjetshëm për autorin e vrasjes në Fier

Azgan Mërnica akuzohet për vrasjen me armë të efektivit të “Shqiponjave”,armëmbajtje pa leje dhe drejtim të parregullt mjeti

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm për Azgan Mërnicën, i akuzuar për vrasjen e punonjësit të Policisë së Shtetit, efektivit të njohur të forcave “Shqiponja”, N.C.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 13 maj 2024, rreth orës 13:30, në fshatin Baltëz të Bashkisë Fier. Sipas dosjes hetimore, konflikti nisi pasi Mërnica, duke drejtuar automjetin e tij me shpejtësi në një kthesë të rrezikshme, u ndal nga viktima, i cili i tërhoqi vëmendjen për mënyrën e rrezikshme të ngarjes.

I pandehuri reagoi menjëherë duke ndaluar makinën, zbriti prej saj me një çantë ku mbante armën dhe iu afrua efektivit, që qëndronte ende brenda në mjetin e tij. Në ato momente, Mërnica nxori armën, e mbushi dhe pa paralajmërim shtiu në drejtim të fytyrës së policit, duke e lënë të vdekur në vend.

Gjatë procesit gjyqësor, Prokuroria kërkoi shpalljen fajtor të të pandehurit për tre akuza: vrasje të punonjësit të Policisë së Shtetit, mbajtje pa leje të armëve dhe drejtim të mjetit në mënyrë të parregullt. Për këto vepra, Prokuroria kërkoi dënime të veçanta, por në përfundim kërkoi bashkimin e tyre sipas nenit 55 të Kodit Penal dhe shqiptimin e burgimit të përjetshëm.

Më konkretisht, për veprën penale të vrasjes së efektivit, Mërnica rrezikon dënim maksimal, ndërsa për mbajtje pa leje të armës kërkohen 7 vjet burg dhe për drejtimin e parregullt të automjetit, 6 muaj. Prokuroria u shpreh se fakti që viktima ishte në krye të detyrës dhe me uniformë zyrtare e rëndon më tej situatën.

Në fund të diskutimeve përfundimtare, organi i akuzës theksoi se do të vijojë me vendosmëri luftën kundër krimeve ndaj jetës dhe kundër autoritetit të shtetit, duke garantuar ndëshkimin ligjor për çdo person që sfidon rendin dhe sigurinë publike.

Ky rast tronditi opinionin publik dhe u shoqërua me reagime të forta nga komuniteti i uniformave blu dhe qytetarët e Fierit, të cilët kërkuan drejtësi për kolegun e tyre të ndjerë. Vendimi i gjykatës pritet të jepet në ditët në vijim.

Ndaj Postimin: