Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetime me iniciativë për dëmtimet e rënda që çuan në bllokimin e aksit rrugor Librazhd–Pogradec. Hetimet janë regjistruar për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, “Shkatërrimi i rrugës” dhe “Ndotja e ajrit, ujit apo tokës”.
Autoriteti Rrugor Shqiptar vendosi mbylljen e plotë të qarkullimit, si për automjetet ashtu edhe për këmbësorët, pas përkeqësimit të situatës dhe zhvendosjes së trupit të rrugës. Fillimisht lëvizja kryhej me një korsi, por rreziku në rritje detyroi ndërprerjen totale.
Për më shumë se 24 orë, lëvizja nga Tirana drejt Korçës është orientuar përmes aksit Maliq–Moglicë–Gramsh, një rrugë me infrastrukturë të amortizuar që përballon me vështirësi fluksin e shtuar.
ARRSH ka rekomanduar itinerare alternative, përfshirë Maliq–Lozhan–Strelc–Gramsh–Elbasan dhe Qafthanë–Pogradec–Korçë–Leskovik–Përmet–Tepelenë. Mjetet e tonazhit të rëndë janë orientuar drejt pikave doganore Qafë Thanë dhe Bllatë.
Në dalje të Maliqit, policia ka kufizuar qarkullimin e mjeteve të rënda në aksin alternativ, ndërsa ka lejuar mjetet e transportit publik. Një natë më parë, lejimi i kamionëve në rrugën e vështirë alternative shkaktoi radhë deri në 7 kilometra dhe pritje mbi tre orë.