Prokuroria e Tiranës ka shpallur në kërkim shtetasin Eno Agasi, i afërm i biznesmenit Ergys Agasi, nën dyshimet se ka hequr nga një kantinë një sasi vere me vlerë miliona euro, në pronësi të këtij të fundit.
Sipas të dhënave zyrtare, vera ishte inventarizuar dhe ishte lënë në ambientet e kantinës, pasi nuk mund të transportohej gjatë natës për shkak të procedurave doganore. Kur autoritetet janë kthyer ditën pasuese për të vijuar me marrjen e saj, sasia e verës nuk është gjetur më në vendin ku ishte depozituar.
Ndërkohë, Ergys Agasi ndodhet gjithashtu në kërkim nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi akuzohet se, së bashku me Ermal Beqirajn, ka krijuar një grup të strukturuar kriminal për manipulimin e tenderëve në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
Në kuadër të të njëjtës çështje, SPAK ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” ndaj drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, e dyshuar për përfshirje në manipulimin e tenderëve publikë. Hetimet për të gjitha këto raste vijojnë.


