Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedim penal ndaj kompanisë farmaceutike “Rejsi Farma”, pas dyshimeve për përfitime abuzive nga skema e rimbursimit të barnave, si dhe për hedhje në treg të medikamenteve të skaduara.
Çështja është referuar nga Drejtoria e Hetimit Tatimor, e cila ka marrë shkas nga një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi veprimtarinë e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, lidhur me procesin e rimbursimit të barnave.
Sipas raportit, grupi i kontrollit ka marrë në analizë një listë prej 18 medikamentesh, në sasinë 12,178 copë, me vlerë totale 41,999,556 lekë, për të cilat pretendohet se kishin kaluar afatin e skadencës, në disa raste edhe mbi një vit. Për këto barna, sipas gjetjeve, nuk rezulton të jetë hartuar dokumentacioni përkatës apo proces-verbal nga autoritetet kompetente, ndërkohë që nuk është ndjekur procedura e rregullt për nxjerrjen e tyre jashtë përdorimit. Po ashtu, nuk është njoftuar Drejtoria Rajonale Tatimore përkatëse dhe nuk është marrë miratim nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.
Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit evidenton gjithashtu dyshime për përfitime të padrejta nga skema e barnave të rimbursueshme, duke mos i nxjerrë medikamentet e skaduara jashtë përdorimit dhe duke krijuar risk për shëndetin e qytetarëve që përfitojnë barna me rimbursim.
Në përfundim të raportit theksohet se mungesa e veprimeve në kohë dhe e dokumentimit sipas kuadrit rregullator tatimor dhe marrëveshjes kontraktuale për rimbursim, në rastin e daljes së barnave jashtë përdorimit, sjell rrezik për pasqyrimin e saktë të gjendjes inventariale të barnave të rimbursueshme, si dhe për nivelin e rimbursimit të përfituar nga depo-importuese “R….F….”. Po ashtu, ngrihet shqetësimi për mundësinë e rifutjes në qarkullim të barnave të skaduara me qëllim përfitimin e rimbursimit, me pasoja të mundshme për shëndetin e pacientëve.
Kompania “Rejsi Farma” dyshohet se ka paraqitur dokumentacion të pasaktë mbi inventarin e barnave të skaduara, duke mashtruar Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm lidhur me të dhënat që duhet të raportoheshin.
Dosja penale që rëndon ndaj kësaj kompanie po hetohet nga Prokurori i Tiranës, Ndini Tavani.