Prokuroria e Tiranës ka dërguar për gjykim dosjen penale ndaj gjashtë shtetasve, të akuzuar për organizimin dhe realizimin e kalimit të paligjshëm drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përmes përdorimit të dokumenteve të falsifikuara, kundrejt shumave të mëdha parash.
Të pandehurit janë Hazir Maçi, Lejla Maçi, Çerkez Nikoçi, Ardjan Pirani, Alfred Maçi dhe Endrit Nezaj. Sipas hetimeve, Hazir Maçi, i hetuar edhe më parë për të njëjtën veprimtari kriminale, u ka kërkuar të paktën tre shtetasve shqiptarë shumën prej 35.000 dollarësh për t’u mundësuar kalimin e paligjshëm drejt SHBA-ve dhe Kanadasë.
Itinerari i ndjekur nga grupi kriminal niste në Shqipëri, vijonte në disa vende të Europës, më pas në Republikën Domenikane dhe prej andej drejt Kanadasë ose SHBA-ve, përmes Porto Rikos, duke përdorur dokumente udhëtimi të falsifikuara. Hazir Maçi ka drejtuar veprimtarinë kriminale nga ambientet e paraburgimit të Fushë-Krujës, përmes komunikimeve telefonike me familjarët dhe bashkëpunëtorët.
Sipas Prokurorisë, Lejla Maçi shoqëronte shtetasit që kishin paguar për kalimin e paligjshëm, ndërsa Ardjan Pirani shërbente për marrjen e porosive përmes linjave të udhëtimit Tropojë–Tiranë. Endrit Nezaj, i punësuar në një agjenci turistike, dyshohet se ka vënë në dispozicion fotografi dokumentesh të shtetasve të huaj për t’u përdorur si model për falsifikim.
Çerkez Nikoçi, në rolin e shoferit, ka mundësuar transportin e dokumenteve të falsifikuara, ndërsa Alfred Maçi akuzohet se ka vënë në dispozicion të dhënat dhe pasaportën e tij britanike për prodhimin e dokumenteve të rreme.
Tre prej të pandehurve, Hazir Maçi, Çerkez Nikoçi dhe Ardjan Pirani, janë arrestuar më 11 shtator 2025. Materialet procedurale janë dërguar për gjykim pranë gjykatës kompetente.