Prokuroria e Përgjithshme ka konfirmuar se vendimi i autoriteteve greke për gjyqtaren e posaçme Irena Gjoka është autentik. Sipas këtij institucioni, rezulton se Gjoka është dënuar nga drejtësia greke në vitin 2005 për falsifikim vize.
Ky fakt, sipas Prokurorisë së Përgjithshme, është deklaruar nga vetë gjyqtarja në formularin e dekriminalizimit. Megjithatë, institucioni thekson se vlerësimi nëse Irena Gjoka duhet ose jo të vijojë ushtrimin e detyrës i takon Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Në reagimin zyrtar, Prokuroria e Përgjithshme sqaron se roli i saj në këtë fazë kufizohet në konstatimin e ekzistencës së vendimit penal të huaj dhe në përcjelljen e dosjes pranë institucioneve kompetente, përkatësisht KLGJ-së, e cila ka autoritetin kushtetues për të vendosur mbi statusin e gjyqtares.
Ndërkohë, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila ka çelur hetime për këtë rast, ka bërë me dije se çështja ndodhet në fazën e hetimeve paraprake dhe se nuk mund të japë detaje për shkak të sekretit hetimor.
“Në përgjigje të kërkesës suaj, çështja është në fazën e hetimeve paraprake. Bazuar në nenet 103 dhe 279 të Kodit të Procedurës Penale, veprimet hetimore që kryhen në fazën e hetimit paraprak përbëjnë sekret hetimor. Duke iu referuar këtyre neneve, nuk mund të bëjmë me dije veprimet hetimore apo rezultatet e tyre”, thuhet në reagimin zyrtar të SPAK.
Sipas këtyre sqarimeve, hetimi ndaj gjyqtares Irena Gjoka vijon në mënyrë konfidenciale, ndërsa institucionet përkatëse pritet të marrin vendime të mëtejshme bazuar në kompetencat e tyre ligjore dhe kushtetuese.