Prokuroria e Fierit ka sekuestruar 15 pasuri të paluajtshme dhe llogari bankare të dy vëllezërve, pasi nuk justifikonin burimin e ligjshëm të pasurive të tyre. Hetimet kanë zbuluar se të dy janë dënuar në Angli për prodhim të lëndëve narkotike.
Sipas hetimeve të zhvilluara në kuadër të procedimit penal nr. 270 të vitit 2019, të nisur mbi bazën e materialeve të referuara nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier, shtetasi N. B. dhe familjarë të tij dyshohet se ishin përfshirë në pastrimin e produkteve të veprës penale. Nga hetimet rezultoi se të ardhurat e përfituara nga aktiviteti kriminal ishin investuar në blerje pasurish të paluajtshme dhe të luajtshme, të përdorura më pas për të fshehur origjinën e parave.
Prokuroria, pas verifikimeve të detajuara dhe administrimit të provave, regjistroi procedimin pasuror nr. 2, datë 13.11.2025, duke kërkuar vendosjen e sekuestrit preventiv mbi pasuritë që nuk justifikohen me të ardhurat e ligjshme.
Hetimet konfirmuan se N. B. ishte dënuar më 19 qershor 2017 nga Gjykata e Kurorës së Shrewsbury-t në Mbretërinë e Bashkuar për prodhim të lëndëve narkotike, ndërsa vëllai i tij E. B. ishte dënuar më 19 prill 2024 nga Gjykata e Kurorës në Leeds, për të njëjtën vepër penale.
Në përfundim të hetimeve, me vendim të Gjykatës së Fierit, u vendos sekuestrimi i 15 pasurive, përfshirë:
- Apartamente, garazhe dhe njësi tregtare në Tiranë dhe Golem, Kavajë;
- Llogari bankare të E. B., K. B. dhe J. B., me një total prej mbi 368 mijë euro.
Prokuroria e Fierit thekson se hetimet për pasurimin e paligjshëm do të vijojnë, me qëllim konfiskimin e aseteve që burojnë nga veprimtaritë kriminale.


