Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka dërguar në gjyq dy drejtoresha të Bashkisë Fier dhe drejtorin e Drejtorisë Vendore të Kontrollit Tatimor, lidhur me shkelje të rënda në administrimin fiskal të parkimeve dhe detyrimeve tatimore.
Sipas organit të akuzës, në qendër të çështjes penale qëndron mosvendosja e kasës fiskale në sistemin e parkimit të Bashkisë Fier, çka ka sjellë shmangie nga pagesa e detyrimeve tatimore në vlera të konsiderueshme. Hetimet janë kryer në kuadër të procedimit penal nr. 68 të vitit 2025, të regjistruar kryesisht për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Në gjyq janë dërguar shtetasja A.H., Drejtoreshë e Përgjithshme e Taksave dhe Urbanistikës në Bashkinë Fier, shtetasja A.C., Drejtoreshë e Taksave dhe Tarifave Vendore, si dhe shtetasi V.Ç., Drejtor i DVKT Rajoni Jugor.
Sipas Prokurorisë, A.H. nuk ka marrë masat e nevojshme për fiskalizimin e parkimeve, duke lejuar shmangien nga detyrimet tatimore. Po ashtu, ajo dyshohet se ka ushtruar ndikim të paligjshëm mbi strukturat në varësi, duke realizuar faturime fiktive dhe përllogaritje të parregullta të taksave për subjekte të ndryshme, përfshirë edhe lëshimin e vërtetimeve se subjekte të caktuara nuk kishin detyrime, ndërkohë që rezultonin me taksa të papaguara.
Nga ana tjetër, A.C. akuzohet se ka konceptuar dhe lëshuar fatura taksash mbi vlera të ndryshueshme, duke ulur detyrimet fiskale për disa subjekte pas ankesave të tyre, në kundërshtim me vendimet e Këshillit Bashkiak. Ajo gjithashtu dyshohet se nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për fiskalizimin e pikave të parkimit të administruara nga Bashkia Fier.
Ndërkohë, për shtetasin V.Ç., Prokuroria konstaton se ai ka urdhëruar kryerjen e kontrolleve tatimore pa pasur më parë urdhër pune nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe nuk ka ndjekur procedurat ligjore pas kontrollit, si dhe nuk ka ushtruar mbikëqyrjen e nevojshme në fushatën sensibilizuese.
Në përfundim, Prokuroria e Fierit ka dërguar çështjen për gjykim ndaj tre të pandehurve, ndërsa procesi pritet të shqyrtohet nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier.