Prokuroria e Fierit çon në gjyq një shtetas për shpërndarje të materialeve pornografike me të mitur

Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim një shtetas me inicialet I.M., i akuzuar për shpërndarje të materialeve me përmbajtje pornografike që përfshijnë të mitur.

Sipas njoftimit zyrtar, i pandehuri dyshohet se ka publikuar dhe shpërndarë në internet një sasi të konsiderueshme fotosh dhe videosh me përmbajtje seksuale që përfshijnë fëmijë. Materialet janë postuar në platforma të ndryshme online, përfshirë Mobile Streaming, TikTok dhe Pinterest.com.

Gjatë hetimeve janë sekuestruar dy telefona celularë, nga të cilët ekspertiza ka evidentuar një numër të madh përmbajtjesh që përfshinin fëmijë të moshës rreth 10–12 vjeç. Sipas prokurorisë, materialet kishin burime të ndryshme dhe ishin ruajtur përmes aplikacioneve të komunikimit, navigimit në internet dhe përmes pamjeve të ekranit.

Në total, në pajisjet e sekuestruara janë gjetur 30 video dhe 125 imazhe me përmbajtje pornografike me të mitur, shumica e të cilave rezultojnë të jenë shkarkuar nga aplikacioni Telegram.

Ndaj të pandehurit rëndon akuza për veprën penale “Pornografia”, ndërsa çështja tashmë i kalon gjykatës për shqyrtim në themel. Autoritetet theksojnë se lufta kundër krimeve që cenojnë të miturit mbetet prioritet, ndërsa hetimet për raste të ngjashme vijojnë në bashkëpunim me strukturat përkatëse.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033