Ish-presidenti Ilir Meta ka reaguar lidhur me seancën e zhvilluar sot në gjykatë, duke deklaruar se akuzat ndaj tij dhe mbajtja në qeli janë të motivuara politikisht. Në një reagim të gjatë publik, Meta ka komentuar edhe qëndrimin e prokurorit të çështjes gjatë seancës.
Sipas tij, prokurori ka pranuar se ekspertja kontabël nuk ka llogaritur të ardhurat e tij të ligjshme për një periudhë të gjatë kohe, që nga marsi i vitit 1992, kur Meta u zgjodh për herë të parë deputet, deri në vitin 2002. Sipas arsyetimit të paraqitur në gjykatë, për atë periudhë nuk kishte dyshime për korrupsion.
Meta ka theksuar se në përllogaritjet nuk janë përfshirë as të ardhurat nga dietat që ai ka përfituar gjatë 30 viteve në funksione shtetërore. Ai shprehet se vetëm gjatë një viti në detyrën e ministrit të Jashtëm ka përfituar rreth 15 mijë euro dieta.
Për këtë arsye, ish-presidenti thotë se i ka kërkuar gjykatës që të urdhërojë një ekspertizë të plotë financiare për të gjitha të ardhurat e tij, duke nisur nga momenti kur është zgjedhur deputet në vitin 1992 e deri në ditët e sotme.
Sipas Metës, mosllogaritja e këtyre të ardhurave të ligjshme është përdorur për të krijuar përshtypjen se shpenzimet e tij nuk mbulohen nga të ardhurat e deklaruara, gjë që sipas tij ka shërbyer për të ngritur akuzat për pastrim parash dhe korrupsion pasiv.
Ai ka deklaruar gjithashtu se gjatë seancës është paraqitur edhe një pretendim tjetër që, sipas tij, nuk qëndron. Bëhet fjalë për përfshirjen e tij në procesin e miratimit të ligjit për minierat. Meta ka mohuar këtë pretendim dhe ka akuzuar kryeministrin Edi Rama si iniciator të këtij ligji.
Në reagimin e tij, Meta ka përmendur edhe emrin e Dritan Kabës, duke theksuar se ai nuk ka qenë këshilltar i Kryetarit të Parlamentit, por këshilltar i grupit parlamentar të LSI-së. Ai ka kërkuar që gjykata të administrojë si provë edhe seancën parlamentare ku është miratuar ligji për minierat, për të sqaruar rolin e palëve të përfshira.
Duke iu rikthyer çështjes së të ardhurave, Meta thotë se vetëm dietat e përfituara gjatë 30 viteve në politikë arrijnë rreth 300 mijë euro dhe se këto të ardhura, sipas tij, janë lënë jashtë qëllimisht nga përllogaritjet.
Në fund të reagimit të tij, ish-presidenti ka ngritur edhe një pyetje publike, duke krahasuar pasuritë e prokurorëve me të tijat. Ai shprehet se, pavarësisht 33 viteve në funksione të larta shtetërore si deputet, kryeministër, zv/kryeministër, kryetar parlamenti dhe president i Republikës, sot nuk ka asnjë pasuri të paluajtshme në pronësi dhe asnjë pasuri të sekuestruar.