Prokurorët kërkojnë dënim me vdekje për ish-presidentin e Koresë së Jugut për tentativë të vendosjes së ligjit ushtarak

Situata ligjore e ish-presidentit të Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, është rënduar ndjeshëm, pasi prokurorët kanë kërkuar dënim me vdekje nëse ai shpallet fajtor për tentativën e vendosjes së ligjit ushtarak. Kërkesa u paraqit gjatë seancës përmbyllëse të gjyqit që po zhvillohet në Seul.

Yoon akuzohet si drejtues i një kryengritjeje, lidhur me përpjekjen e tij në dhjetor 2024 për të shpallur gjendjen ushtarake në vend. Vendimi zgjati vetëm disa orë, por shkaktoi një krizë të rëndë politike, pas së cilës ish-presidenti u shkarkua nga Parlamenti dhe u arrestua për t’u përballur me drejtësinë.

Në dhjetor, prokurori special kishte kërkuar një dënim më të lehtë prej 10 vitesh burg, por në këtë fazë të procesit, organi i akuzës ka kërkuar ndëshkimin maksimal, duke argumentuar se edhe pse nuk pati viktima, qëllimi i veprimit ishte i dhunshëm dhe përbënte kërcënim serioz për rendin kushtetues.

Prokurorët deklaruan se “viktimat më të mëdha të kësaj kryengritjeje janë qytetarët e vendit” dhe se nuk ekzistojnë rrethana lehtësuese që të justifikojnë një dënim më të butë. Në seancë u paraqitën edhe dëshmi nga drejtues ushtarakë, sipas të cilëve Yoon kishte urdhëruar arrestimin e ligjvënësve.

Ish-presidenti i ka mohuar akuzat, duke deklaruar se shpallja e ligjit ushtarak ishte një veprim simbolik për të tërhequr vëmendjen ndaj gabimeve të opozitës dhe se, si president, kishte kompetencë kushtetuese për të ndërmarrë një hap të tillë.

Në të njëjtin proces janë përfshirë edhe ish-ministri i Mbrojtjes Kim Yong-hyun dhe ish-shefi i Policisë Cho Ji-ho. Prokurorët kanë kërkuar burgim të përjetshëm për Kim dhe 20 vite burg për Cho, ndërsa në çështje janë edhe pesë të pandehur të tjerë.

Sipas ligjit koreano-jugor, udhëheqja e një kryengritjeje dënohet me burgim të përjetshëm ose me vdekje. Megjithatë, Koreja e Jugut nuk ka ekzekutuar asnjë person prej gati 30 vitesh. Vendimi i gjykatës pritet të shpallet të premten.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033