Policia Bashkiake pritet të hyjë në një fazë të re funksionimi, nëse miratohet projektligji i ri “Për Policinë Bashkiake”, i hedhur për konsultim publik, i cili shfuqizon ligjin aktual nr. 89/2022. Ndryshimet e propozuara parashikojnë një riorganizim të thellë institucional, duke reduktuar autonominë e bashkive dhe duke forcuar rolin e shtetit në drejtimin dhe mbikëqyrjen e këtij shërbimi.
Sipas projektligjit, Policia Bashkiake nuk do të jetë më thjesht një strukturë administrative në varësi të drejtpërdrejtë të kryetarit të bashkisë. Ajo do të shpallet institucion i administratës publike me status të veçantë dhe organizim dy-nivelësh, qendror dhe vendor. Në këtë kuadër parashikohet krijimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Bashkiake, e cila do të jetë në varësi të ministrit përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike dhe do të ushtrojë autoritetin më të lartë teknik, drejtues dhe mbikëqyrës në nivel kombëtar.
Një tjetër risi e rëndësishme është forcimi i rolit të institucioneve shtetërore. Ministri përgjegjës do të ketë kompetenca të zgjeruara për përcaktimin e politikave, objektivave dhe standardeve operacionale, si dhe për nxjerrjen e udhëzimeve të detyrueshme. Prefekti i qarkut përfshihet për herë të parë si hallkë koordinuese mes Policisë Bashkiake, Policisë së Shtetit dhe njësive të vetëqeverisjes vendore, duke pasur edhe rol në zgjidhjen e konflikteve të kompetencave.
Projektligji parashikon gjithashtu unifikimin e strukturave dhe organikave në të gjithë vendin, duke kufizuar fleksibilitetin që bashkitë kishin deri më tani për ta organizuar Policinë Bashkiake sipas nevojave lokale. Roli i kryetarit të bashkisë mbetet i rëndësishëm kryesisht në aspektin e financimit, sigurimit të infrastrukturës dhe konsultimit me komunitetin, por vendimmarrja strategjike dhe operacionale kalon në nivele më të centralizuara.
Ndryshime të rëndësishme parashikohen edhe në procesin e rekrutimit dhe karrierës. Procedurat e punësimit nuk do të zhvillohen më nga bashkitë, por do të menaxhohen në nivel qendror përmes një portali unik kombëtar, me komisione përzgjedhëse ku përfshihen edhe përfaqësues të ministrisë. Vendoset gjithashtu një sistem i strukturuar karriere, me ndarje të qartë sipas kategorive dhe niveleve drejtuese, si dhe kritere të diferencuara për arsimimin dhe përvojën profesionale.
Në aspektin e kompetencave, Policia Bashkiake do të vijojë të ushtrojë funksionet e saj në rendin dhe qetësinë publike, mbrojtjen e mjedisit, kontrollin e hapësirës publike dhe mbështetjen e shërbimeve sociale. Megjithatë, projektligji parashikon që, në raste të veçanta dhe me urdhër qendror, ajo të mund të veprojë edhe jashtë territorit të një bashkie, në koordinim me Policinë e Shtetit.
Në thelb, nisma synon rritjen e profesionalizmit, standardizimit dhe koordinimit kombëtar të Policisë Bashkiake, por njëkohësisht hap debat për kufizimin e autonomisë vendore, një nga parimet themelore të vetëqeverisjes lokale. Miratimi i projektligjit do të shënonte një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën se si konceptohet dhe menaxhohet siguria në nivel komunitar në Shqipëri.


