NGA MUKADES DERVISHI
Partia Demokratike organizoi mbrëmjen e së shtunës Kuvendin Kombëtar në Pallatin e Kongreseve, ku u prezantua “Programi për Shqipërinë Madhështore 2025-2029”.
Ky program synon një shërbim të ri për qytetarët shqiptarë, duke ofruar plane për zhvillimin ekonomik dhe mbështetje sociale.
Në këtë ngjarje të rëndësishme mori pjesë edhe konsulenti i fushatës së PD-së, Chris LaCivita, një ekspert amerikan i njohur, i cili u shpreh i pranishëm për të mbështetur hapjen e fushatës zgjedhore. LaCivita qëndroi pranë kryetarit të PD-së, Sali Berisha, gjatë prezantimit të këtij programi elektoral, duke shpalosur planet e partisë për një të ardhme më të mirë të Shqipërisë.
Sali Berisha foli nga Kuvendi i PD në Pallatin e Kongreseve dhe theksoi se rikthimi i tij në krye të Partisë Demokratike nuk është për pasuri apo luks, por për një betejë për dinjitetin e vendit dhe qytetarëve të tij. Ai u shpreh se ky është një angazhim për të lënë një trashëgimi të re të PD-së, duke adresuar nevojat dhe hallet e qytetarëve që, sipas tij, janë vuajtur nën pushtetin aktual për 12 vjet.
Kryedemokrati i PD-së, Berisha, e cilësoi programin e PD-së për një Shqipëri madhështore si një projekt që vendi nuk ka pasur për 34 vjet. Ai akuzoi Edi Ramën për vjedhjen e ideve të PD-së, duke thënë se, edhe pse kundërshtarët politikë i mësuan nga ky program, nuk mund të krijonin një vizion të ri, pasi, sipas tij, kopja mbetet gjithmonë një kopje e shëmtuar. Ai solli një shembull nga historia e teknologjisë, ku Nokia, pavarësisht përpjekjes për të kopjuar Apple, nuk mundi dot ta arrinte nivelin e saj, duke theksuar se përpjekjet për të kopjuar gjithmonë kanë dështuar.
Programi i PD-së parashikon gjithashtu ngritjen e Ministrisë së Familjes, e cila do të zbatojë politikat më të avancuara për mbështetje të familjeve shqiptare. Berisha njoftoi bonus për fëmijët, duke ofruar mbështetje financiare nga lindja deri në 23 vjeç për çdo fëmijë të tretë, duke theksuar se janë një numër i madh familjesh me nëna kryefamiljare që do të kenë mbështetje të plotë.
Gjithashtu, Berisha theksoi se fokusimi do të jetë te gruaja shqiptare, nënat dhe vajzat, të cilat do të mbështeten në mënyrë të veçantë për zhvillimin e bizneseve të tyre. Ai u angazhua se do të luftohet për të hequr barrierat e patriarkalizmit dhe për të dhënë mundësi të barabarta për gratë dhe vajzat shqiptare, duke i mbështetur ato për të arritur suksesin në jetën profesionale dhe personale.
Në fund, Berisha pati fjalë të ashpra për kundërshtarët politikë, duke i akuzuar ata për mizogjini dhe nxitje dhune ndaj grave. Ai u shpreh se, përderisa shumë gra dhe vajza janë të detyruara të largohen nga shtëpitë e tyre për të siguruar jetesën, PD do të luftojë për të ndihmuar ato dhe do të bëjë gjithçka për të ndihmuar gratë që të arrijnë sukses në çdo fushë të jetës.