Pas ndryshimeve në kabinetin qeveritar, janë bërë publike profilet e ministrave të rinj që marrin drejtimin e disa prej dikastereve kryesore.
Ermal Nufi është emëruar ministër i Mbrojtjes, duke zëvendësuar Pirro Vengun. Ai mban pozicionin e Zëvendës Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë. Që prej vitit 2013 është i licencuar si avokat dhe ka qenë anëtar i Këshillit Drejtues të Dhomës së Avokatëve të Tiranës. Nga viti 2021 ka shërbyer si këshilltar ligjor i ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, ndërsa ka mbajtur edhe pozicione të tjera në administratën publike, përfshirë kryetar i Bordit Menaxhues të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe anëtar i Këshillit Drejtues të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
Ferit Hoxha është ministri i ri i Punëve të Jashtme, duke zëvendësuar Elisa Spiropalin. Ai iu bashkua Shërbimit të Jashtëm në vitin 1991 dhe ka mbajtur një sërë funksionesh diplomatike. Ka shërbyer si ambasador në Bashkimin Evropian, Belgjikë, Luksemburg, Francë, Portugali, Algjeri dhe Monaco. Gjithashtu ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Koordinator Kombëtar për Aleancën e Civilizimeve dhe Guvernator i Shqipërisë në Bordin e Guvernatorëve të IAEA. Ai ka shërbyer disa herë si Ambasador dhe Përfaqësues i Përhershëm i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara dhe si ambasador në UNESCO.
Enea Karakaçi merr drejtimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, duke zëvendësuar Belinda Ballukun. Më herët ai ka qenë Drejtor i Përgjithshëm për Politikat dhe Zhvillimin e Energjisë dhe Industrisë në këtë ministri. Formimi i tij është në fushën e ligjit për çështje energjie. Karrierën e nisi në Entin Rregullator të Energjisë dhe më pas mbajti poste të ndryshme në Ministrinë e Energjitikës.
Eriona Ismaili është emëruar ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin, duke zëvendësuar Toni Gogun. Ajo ka qenë kandidate e PS-së në qarkun e Vlorës dhe ka shërbyer si Koordinatore Rajonale në projektin zviceran “Bashki të Forta”, si dhe është angazhuar në shoqërinë civile.