Proda në 113-vjetorin e Policisë së Shtetit pranon mangësitë dhe kërkon përmirësim të përditshëm nga efektivët

Në ceremoninë e zhvilluar me rastin e 113-vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit, drejtori i përgjithshëm Ilir Proda vlerësoi rolin e këtij institucioni në garantimin e rendit dhe ligjit, duke theksuar se Policia ka qenë dhe mbetet një shtyllë themelore e sigurisë në vend.

Gjatë fjalës së tij, Proda deklaroi se përvjetori nuk përfaqëson vetëm një datë kalendarike, por një histori dhe një mision të pandërprerë në shërbim të qytetarëve. Ai e cilësoi 13 janarin si një datë jetike për shtetin, duke theksuar se pa rend nuk ka liri dhe pa siguri nuk ka të ardhme.

Kreu i Policisë u ndal te rrugëtimi historik i institucionit, duke theksuar se Policia e Shtetit ka kaluar tranzicione të vështira dhe momente vendimtare, por ka ruajtur gjithmonë misionin e saj për mbrojtjen e jetës, pronës dhe sigurisë së qytetarëve. Ai vlerësoi sakrificën e 231 punonjësve të Policisë që kanë rënë në krye të detyrës, duke i cilësuar ata si themelin e besimit dhe identitetit institucional.

Proda shprehu mirënjohje edhe për veteranët e Policisë së Shtetit, duke vlerësuar kontributin e brezave që kanë shërbyer ndër vite dhe trashëgiminë që kanë lënë në institucion.

Duke iu referuar vitit që lamë pas, drejtori i Policisë renditi një sërë rezultatesh, përfshirë operacione kundër grupeve kriminale, luftën ndaj kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve, zbardhjen e ngjarjeve kriminale, uljen e kriminalitetit dhe menaxhimin e sezonit turistik. Ai përmendi gjithashtu zhvillimin e Akademisë së Sigurisë si një qendër moderne formimi për të rinjtë.

Në fjalën e tij, Proda pranoi se Policia e Shtetit nuk është një organizatë perfekte dhe se përballja me sfida është e përditshme. Ai theksoi se përmirësimi vjen përmes reflektimit, mësimit nga gabimet dhe rritjes së standardeve profesionale.

Duke iu drejtuar efektivëve, ai vlerësoi sakrificën e përditshme të punonjësve të Policisë, duke theksuar se ata janë të pranishëm në çdo situatë, pavarësisht kushteve, dhe përbëjnë pikën e parë të kontaktit për qytetarët në raste emergjence.

Në mbyllje, Proda theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët kombëtarë dhe ndërkombëtarë, duke deklaruar se Policia e Shtetit është tashmë një partner i besueshëm në luftën kundër krimit të organizuar. Ai nënvizoi se vlerësimet ndërkombëtare të vitit 2025 janë dëshmi e profesionalizmit dhe besueshmërisë së institucionit, duke shtuar se puna e Policisë duhet të vlerësohet mbi bazën e veprimeve konkrete dhe jo të sulmeve apo përbaltjeve publike.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033