Policia e Fierit dhe komisariatet vartëse nisin procedime penale ndaj disa shtetasve për vepra të rënda penale që përfshijnë dhunë në familje, ndërtime pa leje dhe përndjekje.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier ka bërë të ditur nisjen e disa procedimeve penale ndaj shtetasve të ndryshëm në juridiksionin e saj, pas veprimeve hetimore të kryera nga specialistët e krimeve.
Në Fier, është referuar rasti i një 50-vjeçari me inicialet K. R., i cili akuzohet për ushtrim dhune ndaj bashkëshortes. Policia ka nisur hetimet penale në ngarkim të tij, pas kallëzimit dhe provave të mbledhura.
Po në Fier, tre shtetas të tjerë, përkatësisht P. R., 70 vjeç, G. R., 62 vjeç dhe N. R., 57 vjeç, do të procedohen për “projektim, mbikëqyrje, zbatim ose kolaudim të paligjshëm të ndërtimeve”, ndërsa shtetasi S. N., 48 vjeç, për veprën penale të “ndërtimit të paligjshëm”.
Në Lushnjë, një 31-vjeçar me inicialet E. R. është vënë nën hetim penal për përndjekje. Ai dyshohet se ka ushtruar presion dhe ndjekje të vazhdueshme ndaj një gruaje me inicialet M. V., ngjarje që po hetohet nga organet përkatëse.
Ndërkohë në Mallakastër, një ngjarje me motiv të dobët ka çuar në një procedim tjetër penal. Shtetasi M. A., 36 vjeç, banues në fshatin Drenovë, ka goditur me një send të fortë një 67-vjeçar. Edhe në këtë rast, materiali hetimor është përcjellë në Prokurori.
Gjithashtu, është bërë një kallëzim nga shtetasja V. K., e cila ka njoftuar Policinë për largimin nga banesa të bashkëshortit të saj J. K., 41 vjeç, që prej datës 14 korrik. Autoritetet kanë nisur kërkimet për gjetjen e tij.
Të gjitha procedimet janë referuar pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier dhe janë në ndjekje për veprime të mëtejshme.