Policia e Lushnjës njoftoi se ka nisur procedim penal për dy shtetas të cilët hodhën lëndë piroteknike në stadiumin “Roza Haxhiu” gjatë ndeshjes së futbollit mes Tiranës dhe Vllaznisë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë, pas kryerjes së veprimeve hetimore dhe procedurale, referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. M. dhe K. Ll., të dy 19 vjeç, banues në Tiranë.
Ngjarja ndodhi kur një lëndë piroteknike u hodh drejt fushës së lojës, duke dëmtuar lehtë një futbollist të ekipit të Vllaznisë. Materialet procedurale tashmë janë dërguar në Prokurori për veprime të mëtejshme, ndërsa ngjarja po hetohet për veprat penale të “Veprime të dhunshme në aktivitetet sportive” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Në një deklaratë publike, Klubi i Futbollit Vllaznia shprehu indinjatën e tij për këtë ngjarje të paprecedentë në kampionatin shqiptar, e cila rrezikoi seriozisht jetën dhe shëndetin e lojtarëve të ekipit të tyre. Ngjarja ndodhi në minutën e 66-të të ndeshjes, kur rezultati ishte 4-1 në favor të Vllaznisë. Gjatë festimit të golit, një lëndë shpërthyese e fuqishme u hodh nga grupi i tifozëve të Tiranës dhe shpërtheu afër lojtarëve, duke i përplasur në tokë disa prej tyre.
Si pasojë e shpërthimit, një nga lojtarët e Vllaznisë mbeti i plagosur më rëndë dhe u dërgua në Spitalin Rajonal të Lushnjës për trajtim mjekësor. Sipas mjekëve, lojtari kishte pësuar djegie, humbje dëgjimi dhe humbje ekuilibri, ndërsa pjesa tjetër e lojtarëve përjetuan turbullime të përkohshme në shikim dhe dëgjim. Pamja e fushës pas shpërthimit përshkruhet nga klubi si “më shumë skenë lufte sesa ambient sportiv.”
Pas kësaj ngjarjeje të rëndë, lojtarët e Vllaznisë ishin të tronditur dhe, pavarësisht dëshirës për të vazhduar ndeshjen, klubi e konsideroi të pakuptimtë vendimin për vazhdimin e lojës, duke vënë në pikëpyetje sigurinë e tyre. Në këtë kontekst, klubi kërkoi që organet e rendit të marrin masa për identifikimin dhe ndalimin e autorëve të kësaj ngjarjeje, duke e cilësuar atë si një “akt terrorist” që rrezikoi jetën dhe shëndetin e lojtarëve.
Klubi i Futbollit Vllaznia gjithashtu i bëri thirrje Federatës Shqiptare të Futbollit për marrjen e masave më të ashpra ndaj sjelljeve dhe veprimeve të tilla, të cilat nuk përputhen me misionin e sportit dhe dëmtojnë sigurinë dhe integritetin e lojës.