Problemi shëndetësor ndërpret misionin Crew-11, NASA kryen evakuimin e parë mjekësor nga ISS

NASA ka përfunduar me sukses evakuimin e parë mjekësor nga Stacioni Hapësinor Ndërkombëtar pas 25 vitesh, duke rikthyer në Tokë katër astronautët e misionit Crew-11, pas një emergjence shëndetësore të raportuar në orbitë.

Misioni, i cili ishte planifikuar të përfundonte muajin e ardhshëm, u ndërpre pasi njëri prej astronautëve shfaqi probleme serioze shëndetësore. Vendimi për rikthimin u mor nga NASA pas vlerësimit se në ISS mungojnë pajisjet e nevojshme për diagnostikim dhe trajtim të plotë mjekësor.

Kapsula e SpaceX u ul në mënyrë të kontrolluar në Oqeanin Paqësor pranë Kalifornisë, ndërsa ekuipazhi u dërgua menjëherë për kontroll mjekësor. Autoritetet amerikane kanë bërë të ditur se astronauti i prekur ndodhet në gjendje të qëndrueshme dhe se problemi nuk lidhet me aktivitetet profesionale në hapësirë.

Në ekuipazhin Crew-11 bënin pjesë Zena Cardman dhe Mike Fincke nga NASA, Kimiya Yui nga agjencia japoneze JAXA dhe kozmonauti rus Oleg Platonov. Ata kishin nisur misionin më 1 gusht 2025, me planin për t’u rikthyer pas mbërritjes së ekipit zëvendësues.

NASA e ka cilësuar operacionin si një “evakuim mjekësor të kontrolluar”, duke theksuar se nuk bëhej fjalë për një emergjencë të menjëhershme në orbitë. Aktualisht, Stacioni Hapësinor Ndërkombëtar vijon funksionimin me një ekuipazh të reduktuar, në pritje të ndërrimit të planifikuar në shkurt.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033