Konferenca periodike që bashkon arkivistë, studiues dhe ekspertë të dokumentacionit nga të gjitha trevat shqiptare do të zhvillohet këtë herë në Prizren. Ky organizim vjen pas edicioneve të mbajtura në Prishtinë, Shkup, Sarandë, Tuz, Boletin, Manastir, Elbasan dhe Shën Mitër.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka shpallur thirrjen për aplikime, duke ftuar nëpunës dhe profesionistë të fushës të paraqesin abstraktet e tyre deri më 5 prill në adresën botime.arkiva.gov.al. Materialet mund të dërgohen në shqip ose në anglisht, ndërsa përgjigjet mbi pranimin dhe pjesëmarrjen do të komunikohen më 20 prill, pas procesit të shqyrtimit.
Organizimi realizohet në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, në vijim të një tradite 10-vjeçare që synon bashkërendimin e punës arkivore përtej kufijve shtetërorë. Dy institucionet veprojnë të unifikuara në ruajtjen, administrimin, përpunimin dhe shërbimin e dokumentacionit të kombit shqiptar.
Konferenca shërben si hapësirë për shkëmbim profesional dhe koordinim të veprimtarisë arkivore në nivel kombëtar. Ftesa është e hapur edhe për institucionet që administrojnë dokumente, si dhe për ato që kontribuojnë në ruajtjen dhe promovimin e kujtesës historike e kulturore.
Temat e propozuara për kumtuesit përfshijnë problematikat e fushës, metodologjinë e studimit, proceset e dixhitalizimit, përmirësimin e infrastrukturës së përmbajtjes, inovacionin dhe vizionin e arkivave në kushtet bashkëkohore. Ky edicion do të ketë në qendër një ngjarje jubilare, e cila do të përbëjë boshtin tematik të diskutimeve.
Punimet e paraqitura do të botohen në revistën “Arkivat Shqiptare”, e vetmja revistë e specializuar në këtë fushë në trojet shqiptare. Ky botim i përbashkët me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës mbështetet në një traditë 61-vjeçare të publikimeve të vazhdueshme nga institucionet simotra.