Në një aktivitet teknologjik të zhvilluar në selinë e OKB-së në Bangkok, kompania Acromax prezantoi “Akila”, moderatoren e parë shqiptare të krijuar me inteligjencë artificiale.
“Akila” është një personazh virtual i ndërtuar mbi teknologji të avancuara të AI-së dhe është projektuar për të moderuar një format informativ në formën e podcast-it. Programi do të trajtojë lajme dhe çështje publike dhe do të publikohet në kanalin ArkivaShqip në platformën YouTube.
Sipas CEO-s së Acromax, Aldor Nini, synimi i këtij projekti është ofrimi i një qasjeje objektive dhe të paanshme në transmetimin e lajmeve. Ai theksoi se moderatorja virtuale është konceptuar për t’i shërbyer publikut pa ndikime emocionale apo subjektive që shpesh shoqërojnë prezantuesit tradicionalë.
Prezantimi i “Akila”-s konsiderohet një hap drejt integrimit të inteligjencës artificiale në fushën e medias dhe komunikimit publik, duke shënuar një zhvillim të rëndësishëm në teknologjinë shqiptare dhe një model potencial për t’u ndjekur edhe jashtë vendit.